Ish- i burgosuri politik, Xhavit Zariqi, ka rrëfyer ekskluzivisht në “Debat Plus” të Televizionit Dukagjini për torturat çnjerëzore të shkaktuara nga disa shqiptarë që ishin pjesë e Drejtorisë/Agjencisë së Sigurimit Shtetëror, e njohur si UDB-ja.
Zariqi tha se arrestimi për herë të parë ka qenë me 23 shkurt të vitit 1984. Dhe dy personat e parë që e kanë arrestuar atë kanë qenë Fadil Hoti dhe Nevruzi [mbiemrin nuk ia dinë] si pjesë e udbashëve shqiptarë.
I lidhur për radiatori dhe pas orës 12:00 të mesnatës në natën e parë të arrestimit, Zariqi tha se udbashi shqiptar, Fadil Hoti, ka qenë aq “korrekt” me të, saqë edhe ia ka mundësuar për të njoftuar familjen e tij se gjendet në zyrat e UDB-së përmes një telefonate.
“Lufti Ajazi si udbash ka qenë më “brutali” nga të gjithë udbashët e tjerë”, tha Zariqi, teksa shtoi se torturat e tij kanë qenë të ndryshme, dhuna fizike me rrahje duarsh, këmbësh, shkelma e boksa.
“Me 23 shkurt u arrestova në sallën 1 Tetori tek konvikti. Më ka arrestuar një Nevruz [mbiemrin as nuk ia kam mësuar atëherë as tani] dhe Fadil Hoti, si punëtor të Sigurimit të Shtetit e njohur si UDB-ja. Fadil Hoti ka qenë punëtor i sigurimit të shtetit. Jo të gjithë udbashët kanë qenë të këqij. Unë kam pasur fatin e keq që shumë punëtorë të UDB-së punojnë me mua. Pikërisht për faktin se jam identifikuar me Emrushin dhe Mustafën, kam deklaruar se jam kanë rastësisht në kerr me ta dhe nuk i kam njohur. Të gjithë e dinin se unë i njoh. Pasi ata ishin nga Ferizaji, unë nga Ferizaj. Në shkollë unë isha bashkë me motrën e tyre, Nazifen. Madje kur vdiq Tito, të gjithë vajtonin, ne këndonim. Dhe aty UDB-ja filluan të na merrnin në pyetje. Kanë punuar me mua shumë udbashë, se ku gjinden Mustafa dhe Emrushi. Kanë punuar udbashë nga Ferizaji, Prishtina, Prizreni, Fadil Hoti me mua ka qenë shumë korrekt, pas një pritje 3-4 orë në zyret e UDB-së në Prishtinë, pas orës 12 tha: Nijetin nuk e kanë me të lëshu. Nëse ke kohë me u lajmëru, është mirë me lajmëruar familjen që gjindesh në Polici. Në fakt, edhe pse isha i lidhur për radiatori, më zgidhi një dorë dhe ma dha telefonin, e thirra një motër se gjindesha në organet e UDB-së”, vijoi Zariqi.
Ndërsa për Nevruzin[ mbiemri i të cilit nuk i kujtohet dhe nuk e din], Zariqi ka thënë se ka qenë më arrogant dhe ka përdorur edhe dhunë fizike ndaj tij, por edhe ofendime dhe fyerje ndaj veprimtarisë së tij politike.
“Prej asaj nate kurrë nuk e kam parë. Pyetje nuk më ka marrë, vetëm më ka arrestu. Ndërsa, Nevruzi ka qenë më arrogant, sjellje jonormale, më fyes, a e di çka ke ba ti, a di çka ka me t’gjet ty. 20 vite prej burgi s’lirohesh. Disa herë më ka godit me shuplaka, grushta, gjatë natës së parë. Pas orës 12-12:30, ka ardhur Lutfi Ajazi, i cili ka qenë më brutali nga krejt udbashët e tjerë që më kanë marrë në pyetje mua”, vijoi ai.
Zariqi thotë se gjatë qëndrimit të tij në paraburgim ka refuzuar ushqimin si “revoltë” ndaj arrestimit të tij dhe ka mohuar vazhdimisht veprimtarinë e tij politike të asokohe.
“Pak para mëngjesit, pak pa u zdritë m’ka keqtrajtuar, m’ka maltretuar, m’ka rreh, duarve, këmbëve, shkelma e boksa e nuk e di çka tjetër. Para mëngjesit m’kanë dërguar në dhomën e burgut. Unë pak si idealist nuk i përfillsha as rregullat, nuk dojsha me marrë ushqimin, 4-5 ditë nuk e kam marrë. Duke pretenduar se më keni marrë pa faj, s’keni as argument, Unë s’kam bërë asgjë. Ata kishin vendosur që mos më lironin. Pas tri ditësh, jam dërguar tek prokurori, ma kanë caktuar paraburgimin. Hetimet kanë zgjatur gjashtë muaj e 12 ditë”, deklaroi Zariqi.
Zariqi ka kujtuar edhe momentin se si ka ardhur deri tek identifikimi i tij si person që u ka ndihmuar vëllezërve, Emrush dhe Mustafë Xhemajli, ku këta dy të fundit ishin të arratisur dhe duke “qëndruar” ilegalisht në Prishtinë tek ai.
Ai tha se veprimtaria e tij u zbulua rastësisht në Prizren, kur Emrush dhe Mustafë Xhemajli ishin duke tentuar të largoheshin nga Kosova në Shqipëri.
“Bashkë me Elmi Reçicën jemi angazhuar bashkë. Kur janë arrestuar Bajrush Xhemajli, dy vëllezërit e tij Emrush dhe Mustafë Xhemajli dolën në ilegalitet. Bashkë me Elmi Reçicën u angazhuam dhe mbildhshim fonde për t’i ndihmuar për të jetuar në ilegalitet dhe ushqim dy vëllezërit e Bajrush Xhemajlit.
“Në 1984 u ngushtua rrethi për të jetuar në ilegalitet, dhe bisedova me një shok nga Plava e Dragashit për të i shpëtuar dhe t’i nxjerrim nga Kosova në Shqipëri. Shoku ishte Shefkat Tahiri, ishte në njohuri për çështjet për lirinë e Kosovës. Shkoi një ditë më herët në Plavë, për të na pritur. Unë bashkë me Bajram Toria [mbiemrin nuk ia di], e morëm dy vëllezërit Xhemajli. Ishte natë, data 23 janar 1984. Kemi rrugëtuar deri në Prizren, dhe ata na kërkuan të ndalemi tek stacioni i autobusave, vjen policia. Na legjitimuan, por nuk na arrestuan aty. Nuk është shkruar as 10 minuta dhe është alarmuar policia, me sirena të policisë. Kemi qenë të kërkuar. Kam shkuar tek një shok në Prizren. U mbushën me kerre të policisë, nuk kishte shanse të ikje nga një lagje në lagje. Jemi ndarë aty, dhe fiks një muaj më pas më 23 shkurt jam arrestuar. Përgjatë këtij muaji u përcillesha. E dija që do të arrestohesha, kur identifikohesh me njerëz të arratisur”, vijoi ai.