Përfaqësuesi i Special i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, sot po qëndron për vizitë zyrtare në Prishtinë.
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, ka njoftuar se është takuar me Sarrazin.
Ai ka njoftuar se temë diskutimi kanë qenë zhvillimet në rajon e në Kosovë.
“Bashkë me Bedriun dhe Vlorën, në selinë e PDK-së, e pritëm Përfaqësuesin Special të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin. Bashkë diskutuam për zhvillimet e fundit politike në rajon, me theks të veçantë ato në Kosovë. Emisarin Sarrazin e njoftova se Partia Demokratike e Kosovës është angazhuar çdo ditë, në të gjitha nivelet e vendimmarrjes, të jap kontributin e saj të parezervë për ruajtjen e interesit të shtetit tonë.”
Krasniqi shkruan se me rëndësi për Partinë Demokratike të Kosovës është bashkëpunimi me ndërkombëtarët.
“Për PDK-në, bashkëpunimi i mirë me partnerët ndërkombëtarë në funksion të zhvillimit dhe integrimit euro-atlantik të Kosovës është tejet i rëndësishëm. Në këtë drejtim, PDK mbështetë të gjitha nismat e mirëfillta të cilat rrisin dhe fuqizojnë bashkëpunimin konstruktiv rajonal – si hap konkret drejt përafrimit të rajonit me Bashkimin Evropian.”
Teksa shton se emisarin Sarrazin e falënderoi për kontributin e vazhdueshëm të Gjermanisë për Kosovën.