Të enjten, në orën 18:50, një veturë me targa vendore, e drejtuar nga një burrë, ka pësuar një vetaksident në Sllatinë, rruga nacionale Prishtinë – Pejë.
Policia e Kosovës përmes raportit 24-orësh ka njoftuar se aksidenti ndodhi për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes, duke çuar në humbjen e kontrollit të automjetit dhe rrokullisjen e tij jashtë rrugës.
Drejtuesi i automjetit ka ndërruar jetë në vendngjarje, ndërsa tri gra që ishin pasagjere kishin pësuar lëndime trupore, dhe njëra prej tyre ka ndërruar jetë në QKUK, Prishtinë.
Në vendngjarje kanë mbërritur njësitet përkatëse dhe prokurori.
“Rr. Nacionale Prishtine-Pejë ,Sllatinë 29.08.2024-18:50. Ka ndodhur një vetaksident trafiku ku një veturë me targa vendore, të cilën e drejtonte një mashkull kosovar, dyshohet se si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes, humb kontrollin e automjetit dhe përfundon jashtë rrugës e rrokullisur. Lidhur me rastin ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes ka konstatuar vdekjen e drejtuesit të automjetit, po ashtu si pasojë e aksidentit lëndime trupore kanë pësuar edhe tri femra kosovare, ku njëra ka ndërruar jetë në QKUK Prishtinë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet përkatëse dhe prokurori”, thuhet në raportin e PK-së.
Trupat e pajetë janë dërguar në IML për obduksion me vendim të prokurorit.