Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se duan bashkëpunim të ngushtë dhe mbështetje ndërkombëtare, duke përfshirë edhe Francën, derisa potencoi se e konsiderojnë aleat dhe partner shumë të rëndësishëm.
Kurti këtë deklarim e bëri pas homazheve në përmendoren dedikuar personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, pasi u pyet rreth arritjes së marrëveshjes së Serbisë me kompaninë e Francës, për blerjen e 12 avionëve ushtarak.
“Ne bëjmë sundim ligji, rend publik, njëkohësisht me paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallim dhe në këtë aspekt duam edhe bashkëpunimin e ngushtë edhe mbështetjen ndërkombëtare përfshirë këtu edhe Francën që e konsiderojmë vend mik, aleat dhe partner shumë të rëndësishëm edhe në Bashkimin Evropian edhe në NATO”, tha Kurti.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ai i Francës, Emmanuel Macron, u takuan të enjten në Beograd.
Presidenti i Francës Emmanuel Macron pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq në një konferencë për media ka folur edhe për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Ai ka deklaruar se vendi i tij do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet për të arritur progres në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, i cili është i një rëndësie kyçe për Ballkanin Perëndimor.
Presidenti i Francës ka theksuar se janë për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, teksa ka shtuar se BE-ja do të vazhdojë të mbështesë përpjekjet për normalizimin e raporteve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës./ KP