Eksperti në institucionin e Analizës së Kosovës për Forenzikë, Besim Hasani, në këtë cilësi, ka pasur një punë të rëndësishme javët e fundit.
Ai është ngarkuar nga Gjykata Themelore e Ferizajt, që të bëjë qartësimin vizual të disa prej provave në rastin e vrasjes së Donjeta Pajazitaj.
Këto kamera të sigurisë, në dy prej shtëpive në fshatin Strellc të Deçanit, kanë kapur veturën e të akuzuarit Naser Pajazitaj teksa kalon nëpër rrugët e fshatit pak kohë para momentit kritik.
Në pamje, prokurorja Valbona Disha Haxhosaj pretendon se shihet dikush i ulur prapa në veturën e Naser Pajazitaj.
Familja e viktimës Donjeta Pajazitaj, pretendojnë se edhe në pamje të tjera shihet se atë ditë Naser Pajazitaj nuk ka qenë i vetëm në veturë.
“Në pamje po shihet qartë se dikush është i ulur prapa në veturë”, ka thënë vëllai i Donjeta Pajazitaj, Skëlqimi.
Në asnjë rast, eksperti Besim Hasani nuk ka dashur t’i komentoj pamjet.
“Unë nuk mund t’i komentoj fotografitë. Përgjegjësi e imja është vetëm qartësimi vizual i tyre nga ana teknike. Nuk kam të drejt të lëshohem në komente”, ka thënë Hasani.
Me ta përfunduar prezantimin, Hasani është larguar nga seanca.
E pas tij, avokati Ahmet Tahiri ka kërkuar që të dëgjohet edhe një dëshmitar.
Këtë kërkesë ia ka refuzuar trupi gjykues.
Gjyqtari, Ibrahim Idrizi ua dha mundësinë Prokurorisë dhe Mbrojtjes që ta paraqesin fjalën përfundimtare.
Prokurorja Disha Haxhosaj ka qenë e gatshme për një veprim të tillë, mirëpo jo edhe avokati Tahiri.
Kështu, fjalën përfundimtare të dy u vendos ta thonë në seancën e ardhshme.
Seanca në disa raste është ndërprerë, përfshirë për shkak të mungesës së energjisë elektrike në Gjykatën Themelore në Ferizaj.
Kjo është hera e katërt që Naser Pajazitaj po gjykohet si i akuzuar për vrasjen e kushërirës së tij, Donjeta Pajazitaj.
Seanca e radhës është caktuar për 21 qershor.