Ish-inspektori i AKI-së, Burim Ramadani ka reaguar pas aksionit të së premtes të Policisë së Kosovës në veri ku u mbyllën pesë komuna paralele serbe.
Sot janë parë forca të shtuara të karabinierëve italianë te ura e Ibrit, e këtë Ramadani e ka konsideruar “fitore spektakolare të Serbisë”.
“KFOR-i kundër Qeverisë, fitore spektakolare e Serbisë! A ka menduar ndokush në jetë që pas 25 vjet mbrojtje që na dhanë – e ende po na japin – lirdershipi jonë i shtetit do ta detyrojë KFOR-in të bëjë roje e kordone me blinda e armë të gjata kundër vendimeve të Qeverisë sonë”, ka shkruar Ramadani në Facebook.
Sipas tij, kjo është “shkepje vullnetare e dhuratave për Serbinë nga Kosova”.
Dje, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, tha se janë mbyllur Qarku i Mitrovicës së Kosovës, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit.
Lexo edhe: Policia me aksion në veri, mbyllen 5 komuna paralele
Aksioni i djeshëm në veri është kritikuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), BE-ja, Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar, që kanë shprehur shqetësimet për veprimet siç thonë ata “të pakoordinuara” të Qeverisë së Kosovës.
Washingtoni ka thënë se këto veprime pasqyrojnë “përkeqësimin e raporteve mes SHBA-së dhe Kosovës”.