Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi dhe kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, u takuan sot me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Krasniqi përmes një postimi në “Facebook”, ka shkruar se temë diskutimi ishin zhvillimet politike, e poashtu edhe zgjedhjet parlamentare.
“Sot, gjatë takimit me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës, së bashku me kandidatin tonë për Kryeministër, Bedri Hamza, zhvilluam një diskutim miqësor mbi zhvillimet e fundit politike në vend, për përgatitjet për zgjedhjet parlamentare dhe vizionin tonë për të ardhmen e Kosovës,” ka shkruar Krasniqi.
Teksa shkruan se i shprehën mirënjohje Ambasadorit për mbështetjen ndaj vendit.
“Ambasadorit Hargreaves i shprehëm mirënjohjen tonë për mbështetjen e palëkundur të Mbretërisë së Bashkuar ndaj Kosovës, duke theksuar se forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve tona është me rëndësi të veçantë.”