Perimetrin e sigurisë ende po e ruanin me armë të gjata dhe të gjithë ata që ishin brenda, nuk mund të dilnin më as nga shtëpitë e tyre.
Përveç sigurimit të skenës së krimit, ende vazhdonin të mblidhnin prova pas gjuajtjeve me armë zjarri që ndodhën këtu në rrugën “Gazemd Zajmi” në lagjen Aktash të Prishtinës në mes të familjes Sekiraqa e asaj Gashi të njohur si “Capat”.
Si pasojë e këtyre gjuajtjeve që ndodhën rreth orës 22, mbeten të plagosur pesë persona kurse një tjetër, anëtar i familjes Gashi, ka vdekur në vendngjarje.
Përveç krimit në vendit të ngjarjes, sipas burimeve të televizionit grupi i “Capave” kishte tentuar të hyjë në emergjencë, në dhomën ku gjendej grupi Sekiraqa, por ishin identifikuar dhe ndaluar nga policia.
Motivet që dërguan deri te kjo ngjarje ende nuk dihet, por kryeqyteti u terrorizua nga gjuajtjet me armë e që besohet se u shkrepën mbi 100 plumba, të paktën në bazë të gëzhojave që policia e Kosovës i ka gjetur në vendin e ngjarjes.
Kjo ngjarje i tmerroi banorët aty, që panë atë që ndodhi.
“Jena ndër banorët e parë që jena dalë, kena parë persona të shtrirë, prej kësaj distance janë dëgjuar ofshamat, thirrjet ,oh nanë, natyrisht shumë moment i ranë,” tha Fehmije Bytyqi, dëshmitare.
Policia në mëngjes gjetën edhe një armë në afërsi të vendngjarjes që dyshohet që i takon njërit nga dy grupet.
Dëme të mëdha materiale nga plumbat janë shkaktuar në kafenenë ku dyshohet se ishin pjesëtarët e së paku njëri grup e në drejtim të së cilës u gjuajt me kallashnikov, por edhe në pronat private të qytetarëve për rreth.
Policia nga aty konfiskoi edhe vetura, njëra ndër to ishte edhe kjo që ishte e blinduar e që besohet se i takonte Sali Sekiraqës, që mbeti i plagosur mbrëmë.
Nga prokuroria me anë të një komunikate për media treguan se për këtë rast kanë ndaluar 5 persona, dhe se bëhet fjalë për përleshje në mes dy grupeve të armatosura si pasojë e mosmarrëveshjeve të mëhershme.
Nga pesë personat tre janë duke marrë klinikën e Ortopedisë dhe dy në Kirurgjinë Abdominale.
“Ky që është me armë zjarri që është i goditur në pjesën e stomakut, ka më shumë lëndime. Ndërsa këta dy kanë lëndime në këmbë, të dytë në këmbë të djathtë, edhe këta konsiderohet gjendja stabile,” deklaroi Xhavit Gashi, Drejtor i Ortopedisë.
As pacientët tjerë në Kirurgjinë Abdominale nuk janë në rrezik për jetë.
“Ne kemi të pranuar dy pacienta, njëri është i vitit të lindjes 2003, edhe tjetri 1995, të them të drejtën është intervene shpejt edhe të dytë janë në gjendje të mirë stabile,” deklaroi Vesel Skënderi, doktor në Kirurgjinë Abdominale .
Policia e Kosovës, që pos disa të dhënave në raportin 24 orësh, nuk dha asnjë informatë tjetër, nuk tregoi as nëse janë në identifikim ose kërkim të ndonjë personi tjetër.