Tetaj tregon se gjatë kohës së luftës është takuar tri herë me Thaçin

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitari Rrustem Tetaj tha se me ish-presidentin, Hashim Thaçin, është takuar tri herë gjatë kohës së luftës.

“Sa më kujtohet mua, kjo ka qenë para emërimit të Tahir Zemës që jam taku, nja dy herë që e kam taku Hashim Thaçin. Një herë e kam pa, s’kam pasë kontakt shumë me ta. Dytën herë ka qenë në zyrën time dhe ka qenë edhe një person tjetër. Në rroba civile, nuk ka pas uniformë. Prezent ka qenë edhe Bislim Zyrapi. Po gjithqysh u kanë përpara, para të 21-it, kur Tahir Zemaj është emëru komandant i Rrafshit të Dukagjinit”, tha Tetaj.

Ndërsa më vonë, tha se e kishte takuar Thaçin në Zhebel, afër Bardhaniqit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Dy herë e kam pa në Prapaqan dhe një herë jemi taku në Zhebel”, tha dëshmitari Tetaj.

Përpara kësaj, dëshmitarit iu prezantua edhe një dokument që tha se kanë qenë shabllone si leje udhëtimi në zonën ku ai ka vepruar.

Ky dokument, prokurori Nathan Quick kërkoi që të pranohet në prova materiale, mirëpo kjo gjë u kundërshtua nga mbrojtja e Selimit. Megjithatë, dokumenti u pranua në prova gjyqësore.

Ndryshe, në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, të martën ka filluar dëshminë dëshmitari i 84-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), Rrustem Tetaj, i cili mban kodin W01511 në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

“Dëshmitari ka mbajtur poste të ndryshme në zonën operacionale të Dukagjinit në verën e vitit 1998, përfshirë edhe vende në Shtabin e Komandës së Zonës dhe në Zonën e Prapaqanit. Ai ka dijeni për përpjekjet e disa anëtarëve të caktuar të UÇK-së për të dhënë shënjestër për persona që konsideroheshin si kundërshtarë, përfshirë edhe persona të lidhur me LDK-në dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës (FARK) dhe kolaboracionistë të pretenduar”, tha prokurori Nathan Quick.

Dëshmitari Tetaj foli për krijimin e Shtabit të Gllogjanit në Zonën Operative të Dukagjinit.

“Pas sulmit të Gllogjanit më 24 mars, domethënë e kemi themelu Shtabin e Gllogjanit në krye me Ramush Haradinajn edhe me pëlqimin e të gjitha fshatrave. Pastaj jemi zgjeru dhe e kemi formu një kazermë ushtarake me destinacion në fshatin Prapaqan, ku unë jam caktu edhe si komandant i kazermës së Prapaqanit”, tha dëshmitari.

Një prej qëllimeve të kazermës, dëshmitari Tetaj tha se kanë qenë që të gjithë ushtarët të cilët nuk kanë kryer shërbime ushtarake të shkojnë aty dhe të trajnohen. Kurse, furnizimet në kazermë, sipas tij, i kanë bërë përmes Malishevës.

“Të gjitha pajisjet i kemi marrë nga ky qytet. Procesi ishte që gjithsesi kazerma duhet të funksionon dhe të rregullohet në mënyrë që çdo ushtar të ketë edhe organizimin e brendshëm të asaj kazerme”, tha Tetaj.

Për furnizim, ai tha se ka pasur nevojë për mjete financiare, gjë e cila është rregulluar përmes Shtabit të Zonës e që në krye të tyre ishte Ramush Haradinaj dhe Lahi Brahimaj me marka (ish-valutë gjermane).

Për ta kryer furnizimin, dëshmitari pohoi se kanë lëshuar leje udhëtimi dhe përveç kësaj kanë lëshuar dokumente të tilla edhe për lëvizjet nga një fshat në tjetrin.

“Kanë qenë rojet në secilën punkt të fshatit dhe është dashur të furnizohet secili njeri që ka kalu, me një dokument të tillë”, tha Tetaj, duke shtuar se lëvizjet pa leje të tilla zakonisht nuk lejoheshin.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, dëshmia e këtij dëshmitari pritet që të zgjasë rreth dy ditë. Tri orë nga kjo kohë janë ndarë për pyetjet nga Prokuroria, ndërsa pesë orë për kundërpyetjet e mbrojtjes.

Lidhur me këtë, pati përditësime prokurori Quick, duke thënë se atyre u duhen vetëm dy orë për këtë dëshmitar.

Në këtë seancë, të gjithë të akuzuarit janë prezentë në sallën e gjyqit, dhe se ky është dëshmitari i fundit për këtë javë.

Po ashtu, të gjitha deklaratat e dëshmitarit të dhëna më herët janë pranuar në prova gjyqësore së bashku me materialet përcjellëse, prandaj ZPS-ja tha se ka pyetje vetëm për disa tema të kufizuara.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika