Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar liderin e Hamasit, Yahya Sinwar, dhe disa figura tjera të larta të këtij grupi palestinez – të shpallur terrorist prej Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian – për sulmet vdekjeprurëse të 7 tetorit të vitit të kaluar në Izrael.
Departamenti amerikan i Drejtësisë ka thënë se padit gjashtë anëtarë të Hamasit me shtatë akuza, përfshirë vrasje të shtetasve amerikanë, komplot për të financuar terrorizmin dhe përdorim të armëve për shkatërrim në masë.
Në padi përfshihen sulmet që dyshohet se janë kryer në dekada nga Hamasi, si dhe sulmi i pashembullt në jug të Izraelit, një vit më parë.
Ky është hapi i parë i zyrtarëve amerikanë për zbatim të ligjit, për t’i mbajtur përgjegjës personat që e kanë kryer sulmin e 7 tetorit, ndonëse tre prej personave të përfshirë në padi janë të vdekur, ndërsa Sinwar besohet se fshihet nëpër tunele brenda Gazës.
Prokurori i Përgjithshëm amerikan, Merrick Garland, ka thënë përmes një video-deklarate se të pandehurit janë përgjegjës për “financim dhe drejtim të një fushate të gjatë me dekada për vrasje të shtetasve amerikanë dhe rrezikim të sigurisë së Shteteve të Bashkuara”.
Ai ka thënë se grupi “ka çuar përpara tentimet e Hamasit për të shkatërruar shtetin e Izraelit”.
Në padi është përmendur sulmi i 7 tetorit ndaj Izraelit, në të cilin militantë të Hamasit “kanë vrarë familje të tëra”, në “masakrën më vdekjeprurëse të hebrenjve prej Holokaustit”.
“Ata kanë vrarë të moshuarit dhe kanë vrarë fëmijë të vegjël. Ata kanë dhunuar dhe gjymtuar gratë”.
Garland ka thënë se gjatë sulmit të grupit “janë vrarë mbi 1.200 njerëz”.
Në mesin e personave tjerë të akuzuar janë: ish-lideri i Hamasit, Ismail Haniyeh, Marwan Issa, zëvëndësudhëheqës i krahut ushtarak të organizatës, Khaled Mashaal, i cili udhëheq grupin jashtë Gazës dhe Bregut Perëndimor, si dhe Mohammed Deif dhe Ali Baraka.
Në padi është përmendur se të akuzuarit janë ose të vdekur ose në arrati.
Haniyeh, Issa dhe Deif janë raportuar të vrarë në muajt e fundit, në sulmet pretendohet se janë kryer apo i janë atribuuar Izraelit.
Përveç 1.200 të vrarëve, militantët e Hamasit kanë marrë peng edhe mbi 240 persona tjerë në sulmin në Izrael.
Ushtria izraelite, më pas, ka nisur fushatë ushtarake tokësore dhe ajrore me qëllim të shkatërrimit të grupit.
Si pasojë e luftës janë vrarë më shumë se 40.000 njerëz në Gazë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze./REL