Një zjarr i madh ka përfshirë të mërkurën zonën midis dy fshatrave të Rahovecit, Zoqishtë dhe Hoqë e Madhe.
Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook se situata është e vështirë, teksa ekipet e zjarrfikësve janë në terren dhe po bëjnë përpjekje të pandërprera për ta shuar zjarrin dhe për të zvogëluar dëmet.
“Ju bëj thirrje të tregojmë kujdes të veçantë gjatë kësaj periudhe të thatë, të shmanget ndezja e zjarreve në natyrë dhe të raportohet menjëherë për çdo zjarrvënie të dyshimtë tek autoritetet!” ka apeluar Latifi.
Ai ka theksuar se bashkëpunimi i qytetarëve është jetik për mbrojtjen dhe ruajtjen e natyrës, duke potencuar rëndësinë e raportimit të menjëhershëm të çdo incidenti që mund të çojë në përhapjen e zjarreve të mëtejshme.