Njohësi i çështjeve të sigurisë, Fatmir Çollaku, ka thënë se bashkësia ndërkombëtare po zhvillon politikë joparimore e të njëanshme në raportet Kosovë – Serbi.
Ai në “Five” të TV Dukagjinit tha se sulmi në Banjskë u kapërcye shumë lehtë nga ndërkombëtarët, kurse kërkesat e veprimet legjitime të Qeverisë së Kosovës sulmohen nga ta ashpër.
“… me këtë politikë joparimore dhe të njëanshme të bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës. Përkëledhje e madhe që i bëhet Serbisë, u goditën vlerat evropiane në sulmin e Banjskës, asnjë kërkesë imediate për t’u vënë para drejtësisë ata persona. Asnjë trysni për Serbinë, kapërcehet diçka shumë e rëndë, i kërkohet llogaridhënie Kosovës për diçka që është parimore kushtetuese”, tha ai.
Tutje, ai tha se Kosovës po i shihet për të madhe tentimi për të vënë rend dhe ligj në veri të Kosovës.
“Luftimi i bandave kriminale, për të vu rend i shihet për të madhe Kosovës, i kërkohet të ngrihet në nivel ndërkombëtar çështjen e urës, bëhet një qasje jo të drejtë, jodemokratike ndaj Kosovës dhe një tolerim i vazhdueshëm i Serbisë, kjo çon ujë se jemi të pabarabartë dhe të patrajtuar drejt”, tha ai.