Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, gjatë qëndrimit të tij në Hagë, ku po viziton ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë, është takuar me ish-kryetarin e kuvendit, Jakup Krasniqin dhe Pjetër Shalën.
Ilir Kërçeli, shef i kabinetit të Kryetarit të Kuvendit, në një postim në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se takimi me ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryparlamentarin Kadri Veseli, do të zhvillohet të dielën.
“Sot bashkë me kryeparlamentarin Konjufca filluam vizitat në Hagë, takuam ish-kryeparlamentarin Jakup Krasniqi e Pjetër Shalën, pas drekës takojmë gjeneral Rexhep Selimin. Kurse nesër ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli, e po ashtu edhe të dënuarit nga shoqata e veteranëve të luftës, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj”, ka shkruar Kërçeli.
“Ne besojmë fuqishëm në pastërtinë e luftës çlirimtare të popullit tonë në krye me UÇK-në. Sikundër jemi të bindur se adresa e krimeve barbare dhe gjenocidit mbi popullin tonë është Serbia agresore, e pandëshkuar deri më tani. Të bashkuar me njëri-tjetrin mbrojmë historinë e vendit tonë”, ka shtuar ai.
Konjufca të premten është nisur për në Hagë, ku ka paralajmëruar se do t’i vizitojë ish-krerët e UÇK-së.
Në Hagë, ish-liderët e UÇK-së dhe të Kosovës, pos vizitave nga anëtarët dhe deputetët e PDK-së, i ka takuar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.