Komuna e Prishtinës ka hapur të mërkurën e 4 shtatorit ekspozitën me 5 projektet e parakualifikuara të konkursit për sheshin “Adem Jashari”.
Kjo ekspozitë është e hapur në objektin e Komunës së Prishtinës dhe përmes saj prezantohen hollësi të top 5 projekteve të parakualifikuara.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, tha në hapje të kësaj ekspozite se 5 projektet e prezantuara janë zgjedhur si më të mirat nga një numër i madh projektesh që kanë konkurruar në konkursin e hapur nga Komuna për këtë shesh.
Rama ftoi qytetarët nga e gjithë Kosova ta vizitojnë ekspozitën dhe të japin edhe mendimin e tyre për përzgjedhjen e projektit më të mirë, duke votuar shifrën e njërit prej projekteve të ekspozuara.
Për këtë qëllim, tha ai, në sallën ku është hapur ekspozita është vendosur një kuti votimi.
“Këtu i kemi 5 projektet të votuara nga juria si më të mirat dhe i ftoj edhe qytetarët që të marrin pjesë në këtë ekspozitë me propozime domethënëse për Adem Jasharin, për Familjen Jashari dhe sakrificën që kanë dhënë për lirinë që sot e gëzojmë, që ta vizitojnë në ditët në vazhdim që me votat e tyre të na tregojnë se cili prej projekteve u pëlqen më shumë dhe mendojnë se cili është më reprezentativ për madhështinë e heroit tonë kombëtar dhe familjes së tij”- tha kryetari Rama.
Ai tha se përfaqësues të Familjes Jashari kanë qenë pjesë e procesit të përzgjedhjes së këtyre 5 projekteve të ekspozuara.
Kryetari Rama tha se ekspozita do të qëndrojë e hapur një javë, por nëse ka nevojë edhe më shumë.
Konkursi ndërkombëtar për projektin për sheshin “Adem Jashari’ është hapur më 14.03.2024.