Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, ka zhvilluar të enjten një takim me kryeministrin Albin Kurti, ku ritheksoi përkushtimin e BE-së për anëtarësimin e Kosovës në bllokun evropian.
Sipas njoftimit të Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadori Orav ka shprehur gatishmërinë për të punuar ngushtë me institucionet vendore për të përparuar reformat e nevojshme dhe për të forcuar marrëdhëniet mes Kosovës dhe BE-së.
“Ambasadori ynë u takua sot me kryeministrin Albin Kurti për të ritheksuar mbështetjen e fuqishme të BE-së për rrugën e Kosovës në BE dhe reformat në lidhje me BE-në,” thuhet në deklaratën zyrtare.
Aivo Orav mori detyrën si ambasador i ri i BE-së në Kosovë në fund të muajit korrik, duke zëvendësuar Tomas Szunyogin, i cili më parë kishte shërbyer në këtë post.