Një zjarr që shpërtheu në një kompleks petrokimik në Shanghai, ditën e shtunë të 18 qershorit ka lënë të vdekur një person.
Zjarri ka shpërthyer në orët e para të mëngjesit, në zonën e fabrikës së etilen-glikolit, më saktë në kompleksin petrokimik të Sinopec-it. raporton CNN.
Në vendngjarje u dërguan ekipet e shpëtimit, nga zonat e Jinshan dhe Fengxian, si dhe nga parku industrial kimik i qytetit.
Rreth orës 9:00 të mëngjesit me orën lokale, kompania ka thënë se zjarri ishte vënë “nën kontroll”.
Kina ka pasur një sërë aksidentesh industriale në vitet e fundit, të cilat kanë lënë shumë të vdekur. Një ndër këto raste, ishte ai i vitit 2015, ku të paktën 173 njerëz vdiqën pas një serie shpërthimesh në një magazinë kimike në Tianjin.
Në tetorin e kaluar, pas shpërthimit të gazit, i cili kishte ndodhur në një ndërtesë banimi dhe qendre tregtare, kishin mbetur të vdekur tre persona dhe më shumë se 30 persona të lënduar, e gjithë kjo kishte ndodhur në qytetin verilindor të Shenyang.