Një zyrtar i gjendjes civile në Ferizaj është arrestuar nën dyshimin për veprën penale “falsifikim i dokumentit zyrtar”, rast i cili ka ndodhur më 22 qershor të vitit të kaluar.
Në raportin 24-orësh të Policisë është bërë e ditur se lidhur me rastin është arrestuar edhe një i dyshuar.
Ndërsa, Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se me vendim të Prokurorit të Shtetit, ka ndaluar për 48 orë të dyshuarin R.O.,- person zyrtar, në zyrën e gjendjes civile në Komunën e Ferizajt, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar” nga nenu 427 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Po ashtu, sipas njoftimit, lidhur me këtë rast është ndaluar edhe personi tjetër i dyshuar me iniciale F.V, në kohëzgjatje prej 48-orësh, i cili dyshohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 390 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton se ndaj të dyshuarit R.O, brenda afatit ligjor, do të paraqesë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën kompetente.