Kryetari i së ashtuquajturës “Shoqatë e qytetarëve të Qarkut të Mitrovicës për Kosovë”, Rasha Rojeviq, ka njoftuar se sot do të fillojë bllokada shumëditore e pikave kufitare drejt Kosovës – Merdar, Jarinje dhe Bërnjak.
Por situata aktualisht në Jarinjë është e qetë.
Ekipi i RTV Dukagjini që gjendet në vendin e ngjarjes njofton se Policia e Kosovës ka thënë se janë të gatshëm për çdo situatë ndonëse nuk ka paralajmërim për tensione.
Rojeviq kishte deklaruar se bllokadat do të zgjasin derisa Policia e Kosovës të tërhiqet nga veriu dhe serbëve t’u kthehen institucionet e mbyllura paralele.
Por zëvendëskomandanti i Policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani ka deklaruar se bllokadat e paralajmëruara mund të ndodhin brenda territorit të Serbisë, por jo edhe në atë të Kosovës.
“Në rast se ndodhë një bllokadë e tillë në pjesën e Serbisë, d.m.th. jo në zonën tonë, konsiderojmë që kemi numër të mjaftueshëm të policëve në rast se ka nevojë të ndërhyhet. Edhe pse nuk e konsideroj, në bazë të përvojës, që do të vije deri aty… Nuk ka mundësi me pasë barrikada në territor të Kosovës, hiq. Nëse ka, ne i kemi punët tona që i kryejmë”, kishte deklaruar Elshani për media.
Nën dyshimet se lëshonin dokumente të falsifikuara, të premten Policia e Kosovës ndërmori një aksion për mbylljen e 5 institucioneve paralele serbe, komunës se Qarkut të Mitrovicës së Kosovës, komunës paralele të Mitrovicës së Veriut, të Zveçanit, Zubin-Potokut dhe asaj të Leposaviqit.