Të gjitha pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë janë hapur për qarkullim, pas bllokadave në pjesën serbe të kufirit.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se janë hapur për qarkullim edhe pikat kufitare Merdarë dhe Bërnjak.
Kjo sipas tij është bërë pasi janë informuar se janë larguar bllokadat “ e krijuara nga esktremistë të maskuar” në territorin e Serbisë.
“Pas pranimit të njoftimeve se tashmë janë larguar bllokadat e krijuara nga ekstremistë të maskuar që kanë qenë të vendosura dje në territorin e Serbisë dhe duke parë se nuk ka ndonjë pengesë për qarkullim nga dhe drejt pikave kufitare të Republikës së Kosovës, morëm vendimin për hapjen për qarkullim të pikave kufitare Merdarë dhe Bërnjak”, tha ai.
“Rend dhe ligj, paqe e siguri, cep më cep e në çdo kufi të Republikës tonë”, përfundoi ministri.