Të enjtën e 13 shtatorit është arrestuar asamblisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë, Ekrem Rrahmani.
Ky arrestim erdhi nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqin.
“Podujevë / 12.09.2024 – 13:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se i njëjti ka kanosur dhe sulmuar fizikisht viktimën mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje,” thuhet në raportin e policisë.
Bahri Selimi, drejtor i Shërbimeve Publike në Podujevë, në emisionin “Rreth e Rrotull”, tha se pasi një propozim nga LDK-ja nuk kaloi, asamblistët u rebeluan.
“Kur nuk ka kaluar propozimi i tyre me u fut në rend të ditës ndryshimi i një anëtari të komitetit për komunitete që ka qenë nga radhët e LDK-së, ata u rebeluan dhe filloi një përplasje mes kryesuesit dhe asamblistëve të LDK-së,” tha Selimi.
Sipas pamjeve të publikuara nga media lokale TV Llapi, kësaj i kanë paraprirë disa ofendime mes Rrahmanit e Bulliqit në mbledhjen e Kuvendit Komunal, ku kryesuesi i Kuvendit Komunal të Podujevës, Hilmi Hoxha, ndërpreu seancën.