Në prag të bisedimeve të ardhshme të dialogut në Bruksel, të caktuara për më 17 shtator, kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, ka bërë të ditur se Kosova ka pranuar një takim trepalësh, në përputhje me rendin e ditës të përcaktuar nga ndërmjetësi.
Sipas Bislimit, Serbia e ka refuzuar takimin duke u përpjekur të imponojë pika të rendit të ditës, të cilat, sipas tij, janë të destinuara për konsum të brendshëm politik.
“Për bisedimet e ardhshme të procesit të dialogut në Bruksel të vendosura për në 17 shtator, Kosova ka pranuar një takim trepalësh, sipas rendit të ditës të përcaktuar nga ndërmjetësi. Fatkeqësisht, Serbia e refuzoi një marrëveshje të tillë, duke u përpjekur të imponojë pika të rendit të ditës të destinuara kryesisht për konsum të brendshëm politik”, ka shkruar Bislimi në platformën X.
Ai gjithashtu ka ftuar emisarin special të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, të hedhë poshtë dezinformatat e përhapura nga mediat serbe, të cilat, sipas tij, në mënyrë të rreme pretendojnë se Kosova ka refuzuar takimin trepalësh të kryenegociatorëve.
“E ftoj Lajcakun të mohojë dezinformimin e qëllimshëm nga mediat serbe më poshtë, të cilat thonë në mënyrë të rreme se Kosova ka refuzuar takimin trepalësh të kryenegociatorëve”, ka shkruar tutje ai.
1/2 For the upcoming dialogue process talks in Brussels set for Sept. 17th, 🇽🇰 has accepted a trilateral mtg. according to the agenda set by the mediator. Unfortunately, Serbia rejected such mtg. by trying to impose agenda items mainly intended for domestic political consumption.
— Besnik Bislimi (@BislimiBesnik) September 13, 2024