Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e një zyrtareje policore, nën dyshimet për përfshirje në veprën penale të “Kanosjes”.
Sipas një komunikate për medie të IPK-së, hetuesit kanë nisur menjëherë hetimet pas marrjes së informacionit fillestar.
“Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) i kanë rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin për një zyrtare policore në Prishtinë me dyshimin se e njëjta ka kryer veprën penale “kanosje”.
Rekomandimi është bërë bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së në interes të hetimit të rastit.
Informacionet e para lidhur me këtë rast hetuesit e IPK-së i kishin pranuar dje në orët e pasdites nga ankuesi, fillimisht përmes telefonit. Pas pranimit të informacioneve fillestare, hetuesit e IPK-së kanë marrë një deklaratë nga ankuesi, i cili ka përshkruar rrethanat e rastit.
“Hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorin kanë ndërmarrë disa veprime hetimore përderisa rasti vazhdon të trajtohet në procedurë të rregullt. Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave të këtij rasti”, thuhet në njoftim.