Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se brenda kësaj qendre është tentuar të futen lëndë narkotike, përmes veturës së një kompanie, e cila ishte kontraktuar për servisimin e pajisjeve elektrike.
Informacioni konfidencial fillimisht ishte pranuar nga Njësiti i Inteligjencës së SHKK-së, përmes rrugëve operative.
“Sot në Qendrën Korrektuese të Dubravës pas një informacioni konfidencial nga Njësiti i Inteligjencës së SHKK-së, përmes rrugëve operative, oficerët korrektues kanë arritur të parandalojnë futjen e kontrabandës brenda kësaj qendre”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.
“Me të pranuar informacionin, i menjëhershëm ka qenë reagimi i stafit përgjegjës për siguri, i cili ka ndërmarr veprimet e nevojshme, me ç` rast në tunelin e hyrjes në Porten e Re të qendrës kanë lokalizuar veturën e kompanisë, e cila është e kontraktuar për servisimin e pajisjeve elektrike në SHKK. Gjatë kontrollit, brenda pjesës së pasme të veturës (bagazh), në mënyrë të kamufluar është gjetur substancë e dyshuar narkotike”.
Lidhur me rastin është njoftuar policia, ndërsa SHKK thotë se ka filluar hetimet dhe shumë shpejt do të dalë me një raport të detajuar.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës mbetet i përkushtuar në luftimin kontrabandës brenda institucioneve korrektuese dhe asnjëherë nuk do të qëndroj duarkryq përballë këtyre dukurive negative, të cilat rrezikojnë rendin dhe sigurinë e saj”.