Ambasadori suedez në Kosovë, Jonas Westerlund, megjithëse ka thënë se Ura duhet të hapet ka theksuar se prioriteti aktual i Bashkimit Evropian është përballja me agresionin rus në Ukrainë, duke lënë më pak hapësirë për diskutime lidhur me çështje të tjera, përfshirë hapjen e Urës së Ibrit.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Westerlund, duke iu referuar rëndësisë së momentit të duhur për marrjen e vendimeve, përdori një fjalë të vjetër greke, “kairos”, që nënkupton se për të arritur rezultatet më të mira, një vendim duhet të merret në kohën e duhur.
“Nuk mendoj se kemi ‘kairos’ momentalisht. Ura duhet të hapet, por pyetja është kur dhe si. Kjo duhet të bëhet me konsultime të popullsisë në të dy anët e lumit dhe të komunitetit ndërkombëtar”, tha ai.
Ai shtoi se hapja e Urës së Ibrit është një çështje simbolike, por praktikisht ka ura të tjera që tashmë lejojnë qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve në lumin Ibër. Ndërsa nuk dëshiroi të spekulonte nëse veprimet e fundit të qeverisë kanë lidhje me zgjedhjet e ardhshme.
“Ura duhet të hapet, besoj që të gjithë pajtohemi për këtë, pyetja është kur dhe si. Në pikëpamjen time duhet të behet në përputhje me konsultime të popullsisë në dy anët e lumit dhe komunitetit ndërkombëtar. Ky është një problem simbolik, në realitet ka shumë ura tjera të hapura ku mund të qarkullojnë veturat e këmbësorët në Ibër”.
“Nuk dua të spekuloj (se këto veprime po bëhen sepse jemi në prag të zgjedhjeve). Do ta vlerësonim shumë nëse disa nga këto çështje do të diskutoheshin me komunitetin ndërkombëtar para se të ngriheshin problemet. Kjo është theksuar në disa raste ndërmjet komunitetit ndërkombëtar dhe kryeministrit Kurti”.
Për sa i përket paralajmërimeve nga zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, për mundësinë e ashpërsimit të sanksioneve ndaj Kosovës, Westerlund u shpreh se nuk ka asgjë për të shtuar, përveçse rëndësisë për të parë “foton e madhe”.
“Kam ndjekur deklaratat e zëdhënësit të BE-së për këtë çështje. Nuk kam asgjë për të shtuar. Por, siç them gjithmonë, duhet ta shohim ‘foton e madhe’. Kosova është pjesë e Evropës. Që të dyja vendet, edhe Kosova edhe Suedia, janë shtete të vogla dhe duhet ta kuptojmë se çfarë po ndodh në Evropë tani me agresionin rus mbi Ukrainën. Koha është që të fokusohemi aty dhe se si Kosova, Suedia e aleatët tjerë mund ta ndihmojnë Ukrainën nga Rusia, e cila po rrezikon edhe sigurinë evropiane. Pra, këtu duhet të jetë fokusi dhe nuk ka kohë për diskutime rreth Urës në këtë moment. Duhet të diskutojmë për dialogun dhe normalizimin e marrëdhënieve, dhe duhet të diskutojmë si mund ta ndihmojmë Ukrainën”, ka thënë ai, për Ekonomia Online.
Duke kaluar te çështjet ekonomike, ambasadori theksoi rëndësinë e përparimit ekonomik të Kosovës dhe thellimit të bashkëpunimit me Suedinë. Ai përmendi disa kompani suedeze që tashmë janë të pranishme në Kosovë.
“Çdo shtet demokratik, si Kosova, duhet të fokusohet në zhvillimin ekonomik. Kryeministri ka thënë disa indikatorë që Kosova po ecë përpara me ekonomi. Mendoj se duhet të fokusohesh aty ku mund të kesh ndikim, si për shembull thellimi i bashkëpunimit në marrëdhëniet ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Suedisë”.
“Ka disa kompani suedeze që kanë ardhur në Kosovë. Një shumë e madhe madje, kohëve të fundit, që ka nisur biznesin e saj këtu është Sigma, këtë vit. Kemi edhe kompaninë suedeze të telekomit, Erickson që ka themeluar një qendër kërkimi dhe zhvillimi. Ka edhe shumë kompani teknologjike, dhe nga ato që merren me inteligjencën artificiale, të interesuara nga Suedia. Prandaj, patjetër që duhet të fokusohemi për ta rritur tregtinë mes vendeve tona”, ka thënë amabasadori.