Ligji për unifikimin e çmimit të produkteve medicinale nga viti i kaluar hyri në fuqi, megjithatë sfidë për të mbetet zbatueshmëria.
Derisa vetë qëllimi i ligjit për çmimin e barnave ishte kursimi i xhepit të qytetarëve edhe pse ka kaluar më shumë se 1 viti prej kur ky ligj është miratuar në Kuvendin e Kosovës pacientët po detyrohen të bredhin nga një barnatore në tjetrën për të blerë barna me çmime më të ulëta.
Ditë më parë Agjencia e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale ka publikuar listën preliminare të çmimeve të produkteve medicinale.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, kjo listë aktualisht ndodhet në procedurat e ankimimit dhe si e tillë nuk ka fuqi obligative.
“Në bazë të dispozitave ligjore të Ligjit për Çmimin e Produkteve Medicinale, Komisioni për përcaktimin e çmimeve të produkteve medicinale, në zbatim të Vendimit të Komisionit të ankesave për çmimin e produkteve medicinale, në përputhje me Vendimin Nr. 05-5084 ka përcaktuar çmimet e produkteve medicinale të regjistruara nga Bartësit e Autorizim Marketingut, në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale. Lista hyn në fuqi pas përfundimit të procedurave të ankimimit, lista e publikuar është listë preliminare dhe si e tillë nuk ka fuqi obligative”, thuhej në shkresën e ministrinë e Shëndetësisë.
Zëvendës kryetari i Odës së Farmacistëve të Kosovës, Astrit Haxhijaha u shpreh se ligji për normalizim të çmimit të medikameve për shkaqe teknike nuk po mund të zbatohet.
Sipas tij zbatueshmëria e këtij ligji është domosdoshmëri për sektorin farmaceotik.
Haxhijaha për KosovaPreess thekson se ligji për unifikim të çmimit të barnave krahas uljes së çmimit të barnave mundëson edhe luftimin e tregut ilegal.
Ligji që parashihte rregullimin e çmimit të barnave për blerjet publike dhe tregun privat është miratuar në korrik të vitit të kaluar.Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka premtuar se me këtë ligj do të ketë çmime më të ultë të barnave.
E gjatë muajit maj të këtij viti ishte publikuar lista preliminare e çmimit të produkteve medicinale, por më pas ishte anuluar me arsyetimin se ka pas rritje të çmimit të 100 barnave.
Në vitin 2019 Ministria e Shëndetësisë kishte nxjerrë një udhëzim administrative për unifikim të çmimit të barnave, por që nuk gjeti zbatim./KSP