Kryetari i Kuvendit të Kosovës, i cili po ndodhet në Hagë, ku po mbahen edhe ish krerët e Ushtrisë Çlirimitare të Kosovës(UÇK), pritet të takohet me ish presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin dhe ish kryeparlamentarin, Kadri Veselin.
Edhe pse me këta të fundit që dikur i kishte rivalë politikë, Konjufca ka thënë se duhet t’i kalojnë të gjitha mosmarrëveshjet e së kaluarës dhe t’i bashkojnë forcat.
“Ne do t’i kalojmë të gjitha mosmarrëveshjet e së kaluarës dhe duhet t’i bashkojmë forcat për aq kohë sa mendoj se në këtë proces po dëmtohet Kosova”, ka deklaruar kryeparlamentari në një intervistë për RTK-në.
Sa i përket punës së Gjykatës Speciale, ai tha se ka shumë defekte.
“Ajo që menjëherë ta merr vëmendjen është fakti se po bëhen dy vjet prej kur këta janë brenda, të izoluar, e procesi gjyqësor nuk po fillon. Me të gjitha standardet evropiane të të drejtave të njeriut, kjo është e kritikueshme sepse ta keni parasysh edhe në sistemet e kaluara që kanë qenë diktatoriale, njeriun nuk e kanë mbajt 9 muaj pa filluar procesi”, transmeton PortaliD.
“Pastaj ose ke prova ose nuk ke prova. Me këtë që po shohim që po zhvillohet në Gjykatën Speciale, jemi shumë të brengosur dhe shumë të pakënaqur”, ka thënë tutje Konjufca.
Ai ka theksuar faktin që se edhe pse është publikuar aktakuza ndaj ish krerëve të UÇK-së, procesi gjyqësor ende nuk ka filluar.
‘’Kanë kaluar 24 muaj prej kur është publikuar aktakuza ndaj ish-krerëve të UÇK-së, por procesi gjyqësor ende nuk ka filluar. E kjo sipas tij, jep indikacione që Specialja po i mban të izoluar qëllimisht’’, ka thënë Konjufca.
Kryeparlamentari ka shtuar se është e paprecedentë të shkëputen nga jeta publike, pa qenë gjykata e përgaditur për të filluar procesin gjyqësor.
“Kjo është ajo që duhet ta kritikojmë dhe të bëjmë trysni në kuptim institucional që kjo të zgjidhet. Nëse gjykata nuk është e përgatitur duhet t’i lirojë këta persona ose ta pranoj që po i izolon”, ka thënë ndër të tjerash ai.
Konjufca ka takuar ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin e Pjetër Shalën, të cilët po mbahen në paraburgim.
Ndërsa, të dielën ai pritet të takojë edhe ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli, pas konfirmimit të këtyre të fundit.