Kadare u mbështetë nga Qosja për kërkesën e ribotimit të veprave të Gjergj Fishtës dhe për azilin politik në Francë

Tre shkrimtarët shqiptarë – Rexhep Qosja, Ismail Kadare dhe Martin Camaj, u bën bashkë në një program të Zërit të Amerikës, në vitet e 90-ta.

Gazetari Elez Biberaj në emisionin “Kallxo Përnime” u pyet për intervistën që e kishte realizuar me Rexhep Qosjën në Zërin e Amerikës, më 13.06.1990, i cili kishte folur për kërkesën e Ismail Kadaresë që të ribotoheshin veprat e shkrimtarit, Gjergj Fishta.

Sipas Biberajt, Kadare kishte ndryshuar në atë kohë, pasi kishte pasur shumë shkrime negative kundër Gjergj Fishtës gjatë periudhës komuniste.

“Ndër sulmet më të ashpra kundër Qosjes kanë qenë nga Kadareja edhe në vitin 1989-1990 Kadareja fillon të ndryshojë edhe fillon të bëj thirrje për reforma në mënyrë të kujdesshme” – ka thënë Biberaj.

Në anën tjetër, në intervistën e Qosjes, ai dëgjohet duke thur lavde për Ismail Kadaren, i cili sipas tij, jo vetëm që ishte poet e prozator i madh, por edhe intelektual i madh, i çmuar dhe i dashur fort në Kosovë. Mendimi i Kadaresë, sipas Qosjes, kishte gjithmonë jehonë të madhe.

Në këtë rast, Qosja ka përmendur edhe dëshirën që kishte pasur ta bënte doktoratën për veprën e Gjergj Fishtës, por që nuk kishte qenë e mundur pasi Fishta kishte qenë autor katolik dhe ishte shtypur gjatë kohës së Enver Hoxhës në Shqipëri, e nuk ishin botuar veprat e tij.

“Kërkesa e tij që të ribotohen veprat e Gjergj Fishtës ka shkaktuar një valë të vërtetë shkrimesh për Fishtën në Kosovë. Fishta është njëri prej shkrimtarëve më të mëdhenj shqiptarë. Me De Radën dhe Naimin përbën tri majet e traditës letrare dhe kulturore shqiptare” – ishte shprehur Qosja, më 13.06.1990.

“Doktoratën kam dashur ta bëj për veprën e Fishtës, por nuk më është bërë e mundshme ta regjistroj tezën në institucionet ku ajo do të duhej të mbrohej” – kishte shtuar Qosja.

Tutje, Biberaj ka folur në emisionin “Kallxo Përnime” edhe për azilin politik që Ismail Kadare e kishte kërkuar në Francë, më 25.10.1990.

Biberaj tha se lajmi i Kadaresë për të kërkuar strehim politik në Francë, ishte një tronditje për Shqipërinë. Si rrjedhojë, ai e kishte telefonuar Qosjen për vendimin e Kadaresë për azilin politik.

“Unë isha shumë i shqetësuar se si do të reagonte Tirana tashti, a do t’i ndalonin botimet e tij (Ismail Kadaresë). Edhe unë u ktheva për ndihmë te Kosova dhe personi i parë që kam marrë në telefon ka qenë Rexhep Qosja… Rexhep Qosja e lavdëron Kadarenë” – thotë Biberaj.

“Pasi është transmetuar intervista e Rexhep Qosjës, më ka marrë në telefon vet Ismail Kadare nga Parisi edhe më ka thënë tekstualisht – do t’i jem borxhli Rexhep Qosjes gjithë jetën time për këtë deklaratë” – ka shtuar Biberaj.

Një ditë pasi e kishte kërkuar azilin politik në Francë, Kadare kishte shkruar një deklaratë për Zërin e Amerikës, në të cilën e kishte arsyetuar kërkesën e tij të azilit politik.

Në deklaratën e tij dhënë për Zërin e Amerikës, më 26.10.1990, Kadare e arsyeton azilin politik që kishte kërkuar duke thënë se nuk ishin mbajtur premtimet që ia kishte dhënë presidenti i Shqipërisë në atë kohë, Ramiz Alia, për demokratizimin e Shqipërisë.

“Vendimi për të lënë vendin tim është vazhdim logjik i asaj që kam mbrojtur gjerë tani në veprën time. Dje i kam dërguar një letër presidentit Ramiz Alia, ku i kam shpjeguar arsyet e këtij veprimi… Në takimet dhe letërkëmbimet që kam patur me presidentin në pranverë të këtij viti, ia kam shprehur fare qartë kërkesat për demokratizimin urgjent, të thellë dhe të plotë të vendit. Mirëpo, premtimet e dhëna nuk u mbajtën dhe zhgënjimi im, ashtu si i shumë shqiptarëve, është i hidhur” – kishte shkruar në deklaratën e tij, Ismail Kadare, më 26.10.1990.

“Duke mos patur asnjë mundësi tjetër për të bërë të qartë pozicionin tim, meqenëse në Shqipëri nuk ekziston mundësia e opozitës legale, zgjodha rrugën që nuk do ta dëshiroja kurrë dhe të cilën nuk do t’ia këshilloja askujt” – kishte theksuar Kadare.

E Rexhep Qosjes, lajmi që Ismail Kadare kishte kërkuar azil politik në Francë, ia kishte ndalur frymën. Kështu shprehet Qosja në intervistën për Zërin e Amerikës, për këtë çështje.

“ E di se me veprën e tij mendore ai e ka shtuar namin e popullit shqiptar dhe të kulturës së tij në botë. Unë e di se Ismail Kadare është atdhetar. Vepra e tij mendore, me çdo faqe, flet se është vepra e vetarit që jeton për atdheun e vet. Unë do të doja që Ismail Kadare betejën mendore për demokracinë ta kishte bërë atje në Shqipëri, bashkë me kolegët e me vëllezërit e tjerë. Por, Ismail Kadare ka zgjedhur rrugë tjetër. Kjo rrugë, mund të mos na pëlqejë, por e ka zgjedhur intelektuali që ju i thoni Ismail Kadare” – kishte thënë Qosja.

Për Qosjen, Shqipëria mund ta ndihmonte Kosovën vetëm si Shqipëri demokratike.

“Kjo ndihmë e saj na duhet si buka dhe sa më shumë të vonohet aq më shumë do të zgjasin vuajtjet tona nën Serbinë, por unë dëshiroj që Shqipëria të demokratizohet vetëm rrugës demokratike, boll po lahemi n’gjak ne shqiptarët në Jugosllavi do të na varroste gjaku i vëllezërve në Shqipëri” – ishte shprehur Qosja.

Shkrimtari Ismail Kadare vdiq më 01.07.2024, në moshën 88-vjeçare, si pasojë e një arresti kardio-respirator. Ai u varros më 03.07.2024 në Varrezat e Tufinës në Tiranë.

Në anën tjetër, për më shumë se katër dekada, Elez Biberaj ka punuar në Zërin e Amerikës. Ai filloi si gazetar në muajin dhjetor, 1980 dhe pas gjashtë vitesh udhëhoqi Shërbimin shqip të Zërit të Amerikës deri më 2004.

Pas punës në Shërbimin shqip në Zërin e Amerikës, Biberaj ka qenë drejtor i gjithë Zërit të Amerikës për gjashtë muaj, pastaj ka qenë drejtor i “Zërit të Amerikës” në divizionin e Euro-Azisë që nga viti 2005 deri 2020, duke e bërë atë përgjegjës për programin e “Zërit të Amerikës” për audiencën në Rusi, Ukrainë, Armeni, Gjeorgji dhe Ballkan.

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika