Evropa Qendrore goditet nga “katastrofa”, evakuohen mbi 50 mijë familje vetëm në Çeki

Shërbimet e urgjencës janë në gatishmëri nga përmbytjet në Evropën Qendrore dhe Lindore pasi reshjet e rrëmbyeshme frynë lumenjtë dhe dëmtuan mijëra shtëpi.

Stuhia “Boris” ka dalë të jetë fatale në Rumani. Katër persona kanë humbur jetën në rajonin e Galatit.

Në Republikën e Çekisë, janë evakuuar 51 mijë familje në zonat veriore të shtetit që po ashtu janë goditur nga ndërprerjet e rrymës.

Polonia ka bërë evakuime në zonën afër kufirit me Çekinë, raporton BBC.

“Edhe një herë po përballemi me efektet e ndryshimit klimatik, që po rriten dukshëm në kontinentin evropian, me pasoja dramatike”, ka thënë presidenti rumun Klaus Iohannis të shtunën.

Kryetari i një fshati në rajonin Galati të Rumanisë ka bërë të ditur se 700 shtëpi janë përmbytur.

“Kjo është katastrofë e përmasave të tmerrshme”, ka thënë Emil Dragomir.

Në Glucholazy, në rajonin jugperëndimor të Polonisë, Opole, zjarrfikësit grumbulluan thasë me rërë ndërsa banorët u evakuuan.

Një përpjekje e ngjashme po zhvillohet në Krakov, qyteti i dytë më i madh i Polonisë, ku banorëve u janë ofruar thasë me rërë për mbrojtje nga përmbytjet.

Në qytetin e Wroclaw mijëra banorëve iu desh të përdornin shkallët e blloqeve të larta sepse ashensorët u mbyllën si një masë paraprake e sigurisë nga përmbytjet, raportuan mediat lokale.

Në Republikën Çeke, një digë shpërtheu të shtunën në rajonin e Bohemisë Jugore të vendit. Ministri i Mjedisit Petr Hladik u kërkoi atyre në zonat më të goditura të përgatiten për të lënë shtëpitë e tyre.

Kryeministri çek Petr Fiala tha se vendi po përgatitet për “një fundjavë të vështirë”. Autoritetet kanë ngritur mure mbrojtëse me thasë rëre dhe barriera metalike. Ndeshjet e futbollit në dy ligat kryesore të vendit të planifikuara për këtë fundjavë u anuluan.

Shija e redaktorit

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” Promovon në Tiranë serinë e Lektyrave Shkollore

Në ditën e katërt të edicionit të 27-të Panairit të Librit në Tiranë, Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovoi serinë e lektyrave shkollore, e cila këtë...

Të fundit nga rubrika