Forcat ajrore të Ukrainës thanë se kanë rrëzuar 53 nga 56 dronët rusë, natën në mes të 15 dhe 16 shtatorit, duke shtuar se “shënjestër kryesore” e tyre ishte kryeqyteti Kiev.
Kreu i administratës ushtarake rajonale të Kievit, Ruslan Kravchenko, tha se një grua është shtruar në spital, pasi është plagosur nga copat e një droni të rrëzuar.
Shefi i administratës ushtarake të qytetit, Serhiy Popko, tha se Kievi ishte nën sulm për më shumë se tri orë gjatë natës, ndërsa mbrojtja ajrore “i rrëzoi pothuajse të gjithë dronët e armikut”.
Rusia ka bombarduar Ukrainën me dronë dhe lloje të ndryshme raketash gjatë kohës më të madhe të pushtimit, që ka nisur qysh në shkurt të vitit 2022.
Shumë nga sulmet e fundit kanë goditur infrastrukturën e energjisë, por bomba shpesh kanë rënë edhe në spitale, shkolla dhe ndërtesa banimi.
Moska, në anën tjetër, këmbëngul se nuk i sulmon zonat e civilëve.
Instituti për Studime të Luftës, me bazë në ShBA, tha më 15 shtator se Rusia “po përpiqet të arrijë një fitore vendimtare në Ukrainë deri në vitin 2026 – përpara se kufizimet e mundshme ekonomike të fillojnë t’i degradojnë ndjeshëm kapacitetet e Rusisë” për të luftuar në Ukrainë.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, i tha CNN-it se do t’i paraqesë presidentit amerikan, Joe Biden, një plan me katër pika për fitimin e luftës, kur të takohet me të gjatë këtij muaji./Radio Evropa e Lirë