Përmes një komunikate të publikuar të hënën, Telekomi i Kosovës ka bërë të ditur se ka paraqitur kërkesë për nisjen e hetimeve ndaj disa personave të cilët dyshohen se kanë keqpërdorur mbi 100 milionë euro.
Në komunikatë, po ashtu, thuhet se, kjo kërkesë është iniciuar ndaj personave që janë zyrtarë të lartë dhe personave privat të cilët dyshohen se kanë lidhur kontrata të dëmshme, fshehur prova, kanë paraqitur deklarata të rrejshme, që sipas njoftimit , “kanë dëmtuar Telekomin e Kosovës në periudha të ndryshme kohore dhe kësisoj kanë kryer vepra penale të dënueshme, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”.
Telekomi i Kosovës, nuk e ka përjashtuar mundësinë që personat e përfshirë të kenë përfituar edhe nga siç e kanë cilësuar, kontrata e dëmshme me vlerë mbi 100 milionë euro.
Në komunikatë janë listuar humbjet e shkaktuar si pasojë e keqpërdorimeve nga persona të caktuar.
1. Humbjet komerciale nga zbatimi i kontratës, që llogariten në vlerë rreth 102 milionë € |
2. Humbjet direkte si pasojë e pamundësisë së zbatimit të kontratës në vlerë rreth 51.4 milionë € (Vendimet e arbitrazheve) |
3. Humbjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së vitit 2017 |
4. Humbjet e buxhetit të shtetit të Republikës së Kosovës, në vlerë rreth 16.2 milionë €, si pasojë e shmangies së tatimit nga Dardafon LLC |
Në njoftim thuhet se Telekomi i Kosovës është i vendosur të denoncojë krimin, të reformojë kompaninë dhe ta rikthejë atë në namin e dikurshëm.