Eksperti i Sigurisë, Hajrullah Tërnava, është shprehur se po vjen “era shtet” në veriun e Kosovës, pavarësisht incidenteve që po cilësohen si “provokime” nga grupet e ndryshme kriminale.
Tërnava në emisionin “Rreth e Rrotull” të Dukagjinit u shpreh se incidenti i mbrëmshëm i hedhjes së koktel molotovit në derën e një shtëpie në Mitrovicë është një incident për “frikësimin” e popullatës dhe të banorëve që jetojnë në ato pjesë.
Tërnava potencoi se për kryesit e veprave të tilla është e nevojshme që Institucionet e Sigurisë dhe të rendit të ashpërsojnë masat ndëshkuese për mospërsëritjen e rasteve të tilla.
“E kuptueshme, gjuajtja e koktej molotovit është për të frikësuar popullatën. Por që institucionet e rendit publik duhet të jenë vigjilente, dhe të ndërmarrin masa të ashpra, pasi nëse dënimet janë të ashpra nuk do të përsëriten. Rastet e tilla kanë përkrahjen e shtetit të Serbisë dhe për të krijuar panik tek popullata. Serbia deri vitin 2022 ka qeverisur siç ka dashur, derisa tani nuk është e tillë. Po i vjen era shtet dhe në pjesët veriore, e kjo është e dhimbshme për Serbinë që nuk po pajtohet. Andaj e shpalli se Kosova është e okupatuar. Edhe faktori ndërkombëtar nuk e mbështet atë”, vijoi Tërnava.
Tërnava potencoi se incidentet e tilla të hedhjes së molotovit në shtëpitë e ndërtuara nga Qeveria në veri nuk duhet të jetë “befasi” për institucionet e Kosovës, pasi krerët e Serbisë mundohen me veprime të tilla t’i frikësojnë banorët e asaj pjese.
“Nuk duhet të befasohemi nga krerët e shtetit të Serbisë, sepse ata ishin bashkëpunëtor të afërt të Millosheviçit, që shkatërroi komplet Jugosllavin, dhe duke kryer krime gjenocidiale qoftë Kosovë, por edhe vende të tjera. Nuk duhet të jenë befasi për ne, sepse Serbia do të vazhdojë edhe më tutje. Edhe tërë bota po mundohet të kthejë, mos është përkrahje e luftës Ukrainë-Rusi. Po edhe ledhatimet e bëra nuk po e detyrojnë të e kthejnë nga vendet demokratike. Këso raste kur qeveria e Kosovës ka marrë masa të nevojshme për ndërtimin e shtëpive dhe kthimin e popullatës në vendet veriore. Ky veprim mundohet që me akte të tilla, terroriste e akte jocivilizuese me i shti frikë popullatës shqiptare. Dihen që institucionet e luftimit të krimit duhet të merren në mënyrë permanente për verifikimin e personave që kryejnë vepra të tilla”, vijoi Tërnava.