Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, kanë zhvilluar takime në Bruksel me emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Por, këtë të martë, pas takimeve dypalëshe nuk ka pasur një takim trepalësh.
Këtë e ka konfirmuar, Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.
“Po. Takimet kane përfunduar. Ka pasur vetëm bilateral me emisarin Lajçak, jo trilateral”, ka thënë ai për Dukagjinin.
Mbajtja e këtij takimi ishte e pasigurt në fund të javës së shkuar, meqë kishte mospajtime rreth agjendës së diskutimeve.
Ndryshe, Bashkimi Evropian ka mirëpritur thirrjen e bërë nga ana e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, që serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet në Kosovë dhe riintegrimin e tyre në të gjitha institucionet e vendit.
Peter Stano, zëdhënës i BE-së, ka theksuar se Brukseli vazhdimisht ka ftuar Beogradin që të inkurajojë këtë gjë, ndërsa Prishtinën që të mundësojë riintegrimin e serbëve të Kosovës.
BE-ja gjithashtu përsëriti thirrjen e vazhdueshme për depërshkallëzim si dhe për implementim të plotë dhe të menjëhershëm të të gjitha marrëveshjeve nga dialogu nga të dyja palët.
Zëdhënësi i BE-së nënvizoi se marrëveshjet e dialogut mbi normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës e Serbisë, parashikojnë hapat dhe procedurat konkrete, gjithnjë duke respektuar kornizën ligjore të Kosovës.