Prokuroria Themelore në Gjilan ka njoftuar se është ngritur aktakuzë ndaj një personi si i dyshuar për veprën penale “Kultivim i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit’’.
Sipas njoftimit publik, thuhet se i dyshuari ka kultivuar pa autorizim bimën e kanabisit dhe se në afërsi të vendbanimit të tij ka mbjellë 9 bimë të quajtura “canabis sativa”.
“Prokuroria Themelore në Gjilan, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit E.A., për shkak të veprës penale ‘Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit’, nga neni 272 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Sipas aktakuzës, në Komunën e Vitisë, më datë 29 gusht 2024, rreth orës 10:30 minuta, është konstatuar se i pandehuri E.A, pa autorizim, ka kultivuar bimën e kanabisit, ashtu që në afërsi të vendbanimit të tij, ka mbjellë nëntë (9) bimë narkotike ‘Canabis Sativa’, me gjatësi prej 80 – 210 cm, të cilat i ka kultivuar me qëllim të prodhimit të substancave narkotike.
Prokuroria Themelore në Gjilan i ka propozuar gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor për veprën penale, e cila i vihet në barrë”, thuhet në njoftim.