Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka thënë se pozicioni i Kosovës është i qartë në çështjen e agresionit rus, duke shtuar se Rusinë dhe Serbinë, Kosova i sheh si faktorë agresivë dhe destabilizues në rajon.
Në një konferencë për media me homologun e saj turk, Mevlut Çavusoglu, pas takimit të mbrëmshëm, Gërvalla ka thënë se “shpresojë që përpjekjet për ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, NATO-s dhe Turqisë do të ndihmojnë që Serbisë dhe seperatistëve serbë në Bosnje e Hercegovinë t’i pamundësohet që nën hijen e agresonit rus në Ukrainë dhe në ndihmën e Rusisë të destabilizojnë Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Juglindore”.
Përveç se ka treguar se Kosova ka mbështetjen e Turqisë në rrugëtimin drejt Aleancës Veri-Atlantike, ministri turk ka treguar se këto dy shtete do të thellojnë edhe më tej lidhjet bilaterale të tyre e veçanërisht, bashkëpunime në arsim dhe tregti.
“Çerekun e këtij viti, eksporti i Kosovës është dyfishuar. Nuk mjaftohemi me këtë sepse ne mendojmë që Kosova ka akoma për t’i ofruar Serbisë”, ka thënë ministri turk gjersa ka shtuar se ky bashkëpunim ka bërë që tregtia të rritet deri në 53%.
Para përfundimit të vizitës së tij 5 ditorëshe në vendet e Ballkanit, përgjatë të dielës, pritet që Çavusoglu të takohet me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ministri i Jashtëm turk: Turqia mbështet rrugën euroatlantike të Kosovës dhe dialogun me Serbinë