Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim ministrin e Jashtëm të Turqisë, Mevlut Çavusoglu, me të cilin konfirmuan raportet e shkëlqyera ndërshtetërore dhe bashkëpunimin e mëtejshëm bilateral në arsim, mjekësi, tregti dhe politikë të jashtme.
Përmes njoftimit nga Zyra e Presidentes, bëhet e ditur se Presidentja Osmani ka përsëritur qëndrimin se anëtarësimi i Kosovës dhe rajonit në strukturat euroatlantike është domosdoshmëri.
“Presidentja Osmani dhe ministri Çavusoglu diskutuan edhe për zhvillimet aktuale në rajon dhe në Evropë, me ç ‘rast, Osmani potencoi se integrimi i rajonit të Ballkanit Perëndimor në strukturat euroatlantike parandalon ndikimin rus në rajon dhe tendencën për destabilizim”, shkruhet në njoftim.
Ministri turk pritet të takohet edhe me Kryeministrin Kurti dhe më pas, të përmbyll vizitën e tij pesë ditorëshe në vendet Ballkanike.
Më herët të dielën, Çavusoglu dhe Gërvalla kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për media në të cilën, ai ka bërë të qartë qëndrimin e Turqisë ndaj rrugës euroatlantike të Kosovës duke thënë se e mbështet atë.
Ministri i Jashtëm turk: Turqia mbështet rrugën euroatlantike të Kosovës dhe dialogun me Serbinë