Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten ka udhëtuar drejt Brukselit për të marrë pjesë në takimin e thirrur nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka njoftuar zyra e Kryeministrisë.
Kështu ka njoftuar Zyra e Kryeministrit mëngjesin së enjtes.
Von der Leyen ka ftuar liderët e Ballkanit Perëndimorë për të diskutuar rreth agjendës së reformave që gjashtëshja ballkanike i ka dorëzuar Brukselit.
Pritet që në takim temat kryesore të jenë “agjenda e reformave dhe rritjes”, të cilat tashmë i kanë dorëzuar në Komisionin Evropian të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit, si parakusht për të pranuar pagesat e para nga Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Bosnja e Hercegovina ka qenë e fundit që ka dorëzuar një dokument të tillë.
Kryeministri Kurti gjatë qëndrimit në Bruksel, përveç drekës së punës të organizuar nga presidentja e Komisionit Evropian, do të ketë edhe një diskutim në Qendrën e Politikave Evropiane (EPC).
Pjesëmarrjen në këtë takim e kanë konfirmuar kryeministrat e Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës, ndërsa Serbia do të përfaqësohet me presidentin e saj.
Kurti pjesë e drekës së punës me liderët e Ballkanit Perëndimor