Në një operacion të përbashkët të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda dhe Prokurorisë Themelore Prishtinë, janë arrestuar katër persona të dyshuar për fajde dhe organizim të skemave piramidale ose bixhozit të paligjshëm.
Sipas njoftimit, mëngjesin e së enjtes, më 19 shtator, pas hetimeve të mëtejshme, është zbatuar një urdhërkontroll në tri lokacione në Prishtinë, ku janë arrestuar A. A., S. A., E. G., dhe A. G.
Sipas hetimeve, ata kanë detyruar viktimat që të veprojnë kundër interesave të tyre dhe kanë përfituar nga fajdeja dhe bixhozi i paligjshëm.
Gjatë kontrollit janë sekuestruar shuma të konsiderueshme parash, 5 automjete, telefona celularë, dhe pajisje elektronike.
“Të dyshuarit në këtë rast, përmes formave të ndryshme të kanosjes, në vazhdimësi kanë detyruar viktimën që të veprojë kundër pasurisë së tij, duke përfituar kështu në formë të kundërligjshme shuma të ndryshme të parave si interes nga fajdeja, e po ashtu të dyshuarit kanë ushtruar edhe veprimtarinë e bixhozit të kundërligjshëm. Gjatë zbatimit të urdhërkontrollit janë sekuestruar dëshmi të ndryshme si: shuma të konsiderueshme të parave kesh, 5 automjete, telefona celularë, pajisje të ndryshme elektronike”, thuhet në njoftim.
Pas intervistimit, të arrestuarve iu është caktuar masa e ndalimit për 48 orë nga Prokuroria Themelore.
Për më shumë, shikoni videon lidhur me operacionin policor të realizuar sot nga Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore.