Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të enjten ka marrë pjesë në një drekë pune në Bruksel, me ftesë të presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Gjatë takimit me liderët e Ballkanit Perëndimor, Kurti e ka uruar von der Leyen për rizgjedhjen si presidente e Komisionit Evropian dhe ka theksuar gatishmërinë për avancimin e marrëdhënieve me BE-në.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti ka bërë thirrje për trajtimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE dhe heqjen e masave ndaj Kosovës, të cilat i quajti të padrejta.
“Theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian, sidomos pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë, është përgjigjja më e mirë për të gjithë ata që kërcënojnë paqen dhe unitetin e Evropës. Në këtë kontekst, kryeministri Kurti bëri thirrje që të trajtohet aplikimi i Kosovës në Bashkimin Evropian dhe Kosovës t’i jepet pyetësori dhe statusi i vendit kandidat për anëtarësim. Në të njëjtën kohë, kërkoi që masat restriktive mbi Kosovën, të cilat i quajti të padrejta dhe jo fer, të hiqen”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, siç thuhet në njoftim, Kurti rikonfirmoi mbështetjen për Procesin e Berlinit dhe zbatimin e marrëveshjeve të mobilitetit të nënshkruara në 2022.
“Sa i përket Planit të Rritjes, kryeministri Kurti u shpreh se Kosova ka qenë një ndër vendet e para që ka dorëzuar Agjendën e Reformave, duke treguar kështu përkushtimin e saj për Planin e Rritjes. Në prag të 10-vjetorit të Procesit të Berlinit, ai i konfirmoi mbështetjen për këtë proces, teksa shprehu angazhimin e tij dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës për marrëveshje të reja, dhe në të njëjtën kohë theksoi rëndësinë e zbatimit të plotë të katër marrëveshjeve të mobilitetet të nënshkruara në vitin 2022 në Berlin”, thuhet tutje në njoftimin e ZKM-së.
Gjithashtu, sipas njoftimit, çështje të tjera që u adresuan nga kryeministri gjatë drekës ishin edhe Programi i Transportit dhe Lehtësimit, tregu unik digjital, Zona e Përbashkët Evropiane e Pagesave (SEPA), Tregu i Përbashkët Rajonal dhe bashkëpunimi e siguria rajonale.