Radhazi një nga një, Ursula von der Leyen po i pret në Bruksel liderët e 6 shteteve të Ballkanit Perëndimor.
Presidentja e Komisionit Evropian në fillim të mandatit të saj të dytë, është nikoqire e takimit me liderët ballkanas, në mesin e të cilëve është edhe kryeministri Albin Kurti.
Para se të shkojnë në sallën e takimit për të diskutuar agjendën e reformave në shtetet që përfaqësojnë, nikoqirja kujdeset t’i bëjë bashkë liderët për fotografinë e zakonshme familjare.
Pjesë e takimit ishin edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Detaje të diskutimeve nuk janë dhënë, pos disave të përgjithshme në platformën “X” nga Von der Leyen.
“Të gjashtë vendet i përkasin Evropës. Kjo është ajo për të cilën po punojmë. Paralelisht, ne po i afrojmë ekonomitë dhe tregjet e tyre më pranë nesh me Planin tonë të Rritjes prej 6 miliardë euro për rajonin,” ka shkruar Von der Leyen.
Fokusi kryesor ka qenë në agjendat e reformave që gjashtëshja ballkanike i ka dorëzuar Brukselit.
Ato janë të domosdoshme për vendet e Ballkanit që synojnë anëtarësimin në BE, në mënyrë që të kenë qasje në fondin miliardësh përmes projekteve të ndryshme.
Sa i përket këtij plani, kryeministri Kurti ka thënë se Kosova ka qenë një ndër vendet e para që ka dorëzuar Agjendën e Reformave, duke treguar sipas tij, përkushtimin e saj për Planin e Rritjes.
Por, Kurti sipas njoftimit nga Qeveria, ka adresuar në takim edhe disa kërkesa për tema të tjera, në mesin e të cilave edhe heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës.
“(Kryeministri Kurti) Theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian, sidomos pas agresionit ushtarak rus në Ukrainë, është përgjigjja më e mirë për të gjithë ata që kërcënojnë paqen dhe unitetin e Evropës. Në këtë kontekst, kryeministri Kurti bëri thirrje që të trajtohet aplikimi i Kosovës në Bashkimin Evropian dhe Kosovës t’i jepet pyetësori dhe statusi i vendit kandidat për anëtarësim. Në të njëjtën kohë, kërkoi që masat restriktive mbi Kosovën, të cilat i quajti të padrejta dhe jo fer, të hiqen,” thuhet në njoftimin e qeverisë.
Nga Plani i Rritjes, Kosovës i takojnë afro 900 milionë euro, kurse Serbisë rreth 1 miliardë.
Por, dy shtetet kanë një kusht më shumë, i cili ka bëjë me kërkesën për avancim në normalizimin e raporteve me njëra-tjetrën.
Në qershor të këtij viti, Von der Leyen fitoi mandatin e dytë pesëvjeçar në krye të Komisionit Evropian.
Ajo ka caktuar kandidaten nga Sllovenia, Marta Kos, si komisionere për Zgjerim, e cila do të merret edhe me raportet e BE-së me rajonin e Ballkanit Perëndimor.