Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar sot doganierin lituanez të EULEX-it, Audrius Šenavičius, i cili u vra në detyrë 11 vjet më parë në veri të Mitrovicës.
Në një postim në platformën X, Kurti nënvizoi guximin dhe sakrificat e Šenavičius, duke e krahasuar atë me heronjtë kombëtarë, Enver Zymberi dhe Afrim Bunjaku.
“Sot njëmbëdhjetë vjet më parë, Audrius Šenavičius u qëllua dhe u vra nga sulmues të panjohur në veri të Kosovës, në rrugën ndërmjet Zveçanit dhe Leposaviqit,” shkroi Kurti.
Ai theksoi se sakrifica e Šenavičius pasqyron angazhimin e madh të atyre që punojnë për të ruajtur sigurinë dhe sundimin e ligjit në Kosovë.
Në përkujtimin e vrasjes së tij, Kurti theksoi se “ne nderojmë kujtimin e tij dhe kremtojmë shërbimin e tij ndaj vendit dhe popullit tonë.”