Dogana e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirje në shkelje të kodit doganor.
Personat e arrestuar përfshijnë pronarin e mallit dhe shoferin e kamionit, të cilët dyshohet se kanë kryer veprime të dënueshme që lidhen me shmangien e detyrimeve doganore dhe dëmtimin e plombave zyrtare.
“Dogana e Kosovës, pas një hetimi preliminar të udhëhequr nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka arrestuar dy persona të dyshuar për përfshirje në shkelje të kodit doganor. Personat e arrestuar përfshijnë pronarin e mallit dhe shoferin e kamionit, të cilët dyshohen se kanë kryer vepra të dënueshme.
Pas hetimeve dhe mbledhjes së provave të mjaftueshme, u ndërmorën veprimet e arrestimit të këtyre persona të dyshuar për këto veprat:
- Shmangie nga detyrimet doganore
- Heqja dhe dëmtimi i vulave zyrtare dhe dëmtimi I plumbave”, thuhet në njoftim.
Sipas njoftimit, hetimet e para tregojnë se të dyshuarit kanë kryer këto vepra në të paktën dy raste të ndryshme. Ata akuzohen për manipulimin e mallrave gjatë procedurave doganore, me qëllim të shmangies së pagesës së detyrimeve doganore dhe shkeljen e sigurisë së plombave të vendosura nga Dogana e Kosovës.
“Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se të dyshuarit kanë kryer këto vepra të paktën në dy raste të veçanta. Në mënyrë të veçantë dyshohen për manipulimin e mallrave gjatë procedurave doganore, duke synuar shmangien e pagesës së detyrimeve doganore dhe shkeljen e sigurisë së plombave zyrtare të vendosura nga Dogana e Kosovës.
Me urdhër të Prokurorit të rastit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet e mëtejshme janë në zhvillim e sipër për të përcaktuar përmasat e plota të këtyre veprimeve.
Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjeve dhe në mbrojtjen e integritetit të kufijve të Kosovës. Këto veprime tregojnë përkushtimin tonë të pandalshëm për të parandaluar çdo tentim për shmangie të detyrimeve doganore dhe për të siguruar që të gjithë ata që thyejnë ligjin të përballen me pasoja të ashpra”.