Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës ka miratuar zyrtarisht logon e Kuvendit gjatë mbledhjes së fundit. Logoja e re është përzgjedhur nga një juri profesionale dhe do të përdoret në një sërë hapësirash dhe materialesh të Kuvendit.
Sipas njoftimit, logoja do të vendoset në ambiente të ndryshme brenda Kuvendit, përfshirë zyrat e deputetëve dhe dokumentet e brendshme.
“Sipas Rregullores së Kuvendit, logoja vendoset në hapësirat e Kuvendit, në zyrat e deputetëve, në dokumente e akte të brendshme, në komunikimet e deputetit me palët e treta, në botime e publikime ose në aktivitete, të cilat organizohen nga Kuvendi.
Koncepti i logos
Simboli i shtëpisë në logon e Kuvendit simbolizon ndërtesën kryesore të shtetit, Kuvendin, si instutcioni më i lartë ligjvënës dhe përfaqësues i Republikës së Kosovës. Pjesa e poshtme e logos simbolizon rreshtat e ulëseve të deputetëve në Kuvendin e Kosovës, ndërsa vija e mesme në pjesën e sipërme të simbolit paraqet ulësen e kryetarit dhe të nënkryetarëve të Kuvendit. Vijat anash, po ashtu në pjesën e sipërme, simbolizojnë ulëset e anëtarëve të qeverisë.
Me bashkimin e të gjitha pjesëve, simboli pasqyron në mes hartën e Republikës së Kosovës, që, së bashku me yjet, simbolizon flamurin e Kosovës”, thuhet në njoftim.