Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, do të presë një drekë pune me liderët e Ballkanit Perëndimor në New York, gjatë javës së 79-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Kjo drekë pune është pjesë e një tradite të përvitshme, ku gjashtë liderët nga rajoni takohen për të diskutuar mbi zhvillimet dhe përparimin në agjendën e reformave të tyre.
“Të mërkurën, Përfaqësuesi i Lartë Borrell do të presë gjashtë liderët nga Ballkani Perëndimor për një drekë tradicionale pune”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq kujtojmë se edhe presidentja Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, priti në një takim liderët e Ballkanit Perëndimor.
Në New York është duke qëndruar edhe presidentja Vjosa Osmani, ku do të përfaqësojë Kosovën në takimet e nivelit të lartë të Kombeve të Bashkuara.