Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit ka njoftuar se Manastiri në Banjskë do të jetë i mbyllur për vizitorët nga data 23 deri më 26 shtator 2024.
Siç thuhet në njoftim, kjo masë është marrë për të garantuar sigurinë dhe ruajtjen e paqes.
Përfaqësuesit e Kishës kanë theksuar rëndësinë e qetësisë dhe sigurisë, duke theksuar se manastiri ka një rëndësi të veçantë për komunitetin fetar dhe kulturor.
“Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit njofton publikun se Manastiri i Shën Arqidhjakonit dhe Protomartirit Stefan në Banjskë do të jetë i mbyllur për vizitorët të hënën, të martën, të mërkurën dhe të enjten (23-26 shtator) për arsye sigurie dhe për të siguruar ruajtjen e paqes, që aktualisht është me rëndësi të madhe për manastirin”, thuhet në njoftim.
Ky njoftim vjen një vit pas sulmit terrorist ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë, ku mbeti i vrarë reshteri Afrim Bunjaku.
Gjatë përleshjeve të armatosura që pasuan, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj 45 individëve lidhur me këtë incident, duke përfshirë edhe Milan Radoiçiq.
Aktakuza i ngarkon shumicën e tyre për kryerje të terrorizmit dhe të veprave të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.