Prokuroria Themelore e Pejës ka filluar hetimet lidhur me rastin e një nxënëseje nga Gjimnazi “Bedri Pejani” në Pejë, e cila u pezullua nga shkolla për shkak të bartjes së shamisë.
Lajmin për Dukagjinin e ka konfirmuar zëdhënësi i kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi.
“Pasi kemi pranuar informatat përmes email-it zyrtar për rastin në fjalë, çështja i është ndarë një prokurorit të shtetit , i cili do ta trajtoj rastin se a ka elemente të veprës penale
“Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”, nga neni 190 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, ka thënë Nikçi.
Sipas tij, prokurori i çështjes pritet të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe më pas të marrë vendim nëse do të niset ndonjë procedurë penale lidhur me këtë rast.
Ky vendim për hetim vjen pas raportimeve se shkolla ka pezulluar nxënësen për shkak të shkeljes së rregullave të brendshme që ndalojnë mbulesat fetare brenda institucioneve arsimore publike.
Në letrën e saj drejtuar shkollës dhe institucioneve arsimore, nxënësja ka theksuar se dëshiron të ushtrojë të drejtën e saj për të zgjedhur veshjen fetare dhe se bartja e shamisë është pjesë e lirisë së saj të shprehjes dhe zgjedhjes, duke iu referuar Kushtetutës së Kosovës dhe deklaratave të kryeministrit për liritë fetare.
Ajo ka theksuar se vendimi për pezullim është në kundërshtim me nenin 55 të Kushtetutës së Kosovës, i cili përcakton se të drejtat dhe liritë kushtetuese mund të kufizohen vetëm përmes ligjeve, dhe jo përmes udhëzimeve administrative.