Komisioni i Pavarur i Mediave (KPM) konstatoi se në rastin e transmetimit të lajmit nga portali boshnjak “Slobodna Bosna”, në edicionin qendror të lajmeve, Radio Televisioni i Kosovës ka bërë shkelje të Kodit të Etikës, saktësisht të nenit që ka të bëjë me raportim të lajmit në mënyrë të paanshme. Andaj, si sanksion- udhërohet RTK 1 të transmetojë publikisht detajet dhe natyrën e shkeljes së Kodit të Etikës dhe t’i ofrojë palës ankuese- Nacionale.com të drejtën e reagimit në hapësirën e njëjtë sikur kur është transmetuar lajmi i parë.
Vendimi në fjalë është marrë me 5 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, në mbledhjen e 9-të të rregullt nga KPM-ja.
Fillimisht, kryetari i Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), Jeton Mehmeti tha se kanë pranuar një ankesë nga Nacionale.com lidhur me transmetimin e një lajmi në edicionin qendror të lajmeve të Radio Televizionit të Kosovës (RTK) më 22 korrik 2024.
“Nga kjo ankesë pretendohet nga ana e palës e cila është ankuar se nuk ka mbështetje të atij lajmi në asnjë fakt dhe asnjë provë. Ankesa vazhdon me transkriptimin e lajmit i cili është publikuar tek edicioni qendror i lajmeve, në të cilin thuhet se e përditshmja sarajevase “Slobodna Bosna” publikoi një vendim, sipas të cilit zbulon qëllimet e presidentit serb Aleksandar Vuçiq që pas Malit të Zi dhe Kosovës, është vënë në ekspansion kur bëhet fjalë për gllabërimin e mediave të papërshtatshme në rajon. Slobodna Bosna shkruan se pas aksioneve në Malin e Zi, radha i ka ardhë për sulmin mediatik në Kosovë”, tha Mehmeti teksa citoi lajmin.
Ai tutje lexoi se “Slobodna Bosna” raporton se një portal në Kosovë është në kontroll të drejtpërdrejtë të terroristit nga Banjska, Milan Radoiçiq dhe se një portal tjetër ka pranuar transaksion milionësh për publikim të shkrimeve për Qeverinë e Albin Kurtit.
“Ky medium shkruan se nën vëzhgimin e Vuçiqit, edhe media nga Federata e Bosnjës sipas një skenari të mirëpërgatitur një ushtri të botës, ka për detyrë të rrëzojë serverët dhe të kryejë sulme ndaj portalit dhe rrjeteve sociale. Nëse plani nuk arrihet, fillohet me përpjekjen për të marrë nën kontroll mediat”, citoi ai tutje lajmin e RTK1.
Kurse, tha se zyra ekzekutive e pas pranimit të ankesës më 29 korrik 2024, me qëllim të sqarimit të pretendimeve, ka kërkuar nga RTK-ja të sjellë sqarime lidhur me atë lajm.
Më 1 gusht 2024, Mehmeti tha se RTK1 iu përgjigj duke theksuar se lajmi është marrë në ueb-sajtin e RTK-së nga një shkrim i përkthyer nga “Slobodna Bosna”, ku pretendohet për ndikimin e Vuçiqit në disa mediume në rajon, mes tjerash edhe në Kosovë.
Sipas RTK 1, duke qenë se mediumi boshnjak ka përmendur me emra mediumet kosovare, RTK ka vendosur të mos i publikojë me emra, pasi nuk ishte shkrim autentik i tyre.
“Pra, ritheksoj se në lajmin e transmetuar në RTK TV asnjë nuk përmendet referenca, emrat e mediumeve apo gazetarëve”, lexoi Mehmeti sqarimin e RTK-së.
Andaj, kryetari i KPM-së tha se zyra ekzekutive ka ardhur në përfundim se këtu kemi të bëjmë me shkelje të Kodit të Etikës, nenit 6, paragrafit 1, në të cilin thuhet se “OSHM-të duhet të raportojnë lajme me saktësi dhe t’i paraqesin ati në mënyrë të paanshëm. Ata nuk duhet të transmetojnë material për të cilin e dinë ose duhet të dinë se është i pavërtetë ose mashtrues”.
“Andaj, zyra ekzekutive e KPM-së duke u bazuar në faktet e lartpërmendura ka gjetur se RTK1 ka bërë shkelje të nenit 6, paragrafi 1 të Kodit të Etikës dhe pasi RTK1 nuk ka bërë asnjë përpjekje për t’i verifikuar faktet të cilat do të mbështetin saktësinë e lajmit. Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Komisioni i Pavarur për Media licencon transmetuesit publik dhe privat dhe në kuadër të transmetuesit publik, pra KPM-ja ka gjithsej gjashtë licenca, RTK1, RTK2, RTK3, RTK4 dhe dy radio- Radio Kosova 1 dhe Radio Kosova 2 dhe nga praktika e deritanishme aty ku kemi parë shkelje secila është trajtuar konform licencencës”, tha Mehmeti.
Për këtë, Mehmeti tha se lajmet që transmetohen në edicionin qendror të lajmeve në transmetuesin publik kalojnë nëpër shumë filtra dhe se aty nuk ka vend për gabime, pasi shumë palë e shohin lajmin nëse është i saktë dhe i përmbush kriteret e Kodit të Etikës.
“Lajmi për të cilin po flasim përmban pretendime shumë serioze për mediet e tjera në Kosovë, duke i akuzuar për financim nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq dhe konsultë të drejtpërdrejtë nga një person që është në kërkim nga shteti i Republikës së Kosovës për veprime terroriste dhe ky lajm përveç se mund të krijojë panikë tek qytetarët duke analizuar plan dhe skenarë për të rrëzuar serverët dhe për të kryer sulme ndaj portalit në fjalë dhe për të marrë në kontroll mediat. Pra, është një lajm me peshë të madhe”, tha Mehmeti.
Ai shtoi se të gjitha këto janë transmetuar në një edicion të lajmeve në të cilin nuk janë marrë edhe aspektet tjera të balancimit të lajmit.
Kreu i KPM-së tha se mbështet konstatimin e zyrës ekzekutive se kemi të bëjmë me shkelje të Kodit të Etikës në dy aspekte, pra duke dështuar që ky medium i licencuar të raportojë lajme dhe t’i paraqesë ato në mënyrë të paanshme.
“Kësisoj, nga ajo që na thotë edhe ligji dhe sanksionet që i kemi në dispozicion, nëse konstatohet se ka shkelje të Kodit të Ligjit, atëherë mund të urdhërojmë subjektin e licencuar që t’i transmetojë publikisht detajet e natyrës së shkallës së shkeljes së Kodit të Etikës. Pra, në bazë të konstatimeve tona dhe të kërkojë nga RTK që t’i ofrojë hapësirën e reagimit palës ankuese në këtë rast, në emisionin e njëjtë, në kohën e njëjtë dhe kësisoj do të arrinimin që si rregullator të kemi një balancim të lajmit, i cili në konstatimin tonë është i njëanshëm dhe nuk i përmbush kriteret për lajm të paanshëm dhe të balancuar.
Mehmeti ritheksoi se përmbajtja e atij lajmi është përmbajtje e cila ka akuza të rënda në kuptimin e veprimtarisë së disa medieve të tjera, duke e ndërlidhur direkt me pushtete të cilat ndaj Republikës së Kosovës kanë kryer sulme terroriste. Tha se rastin e bën të veçantë fakti se ky lajm publikohet në transmetuesin publik, i cili ka për mision informimin e saktë të publikut dhe nuk e ka balancuar atë me opinionin e palëve që ndërlidhen në mënyrë të tërthortë me të.
Po ashtu, theksoi se rasti ndodhi me redaksinë e lajmeve, ku ka një peshë të madhe ndikimi që mund të ketë në opinion publik dhe redaksia e lajmeve duhet ta ketë gjithmonë parasysh se lajmet që i plason duhet të jenë të filtruara, të sakta dhe të paanshme.
“Dhe krejt këto, na bëjnë neve si KPM që në momentin që kemi marrë një ankesë sikurse edhe në rastet tjera, ta trajtojmë ankesën konform shkeljeve të cilat pretendohet të jenë në kuptimin e Kodit të Etikës. Natyrisht, pala në fjalë- ankuesi në fjalë pretendon se ka edhe një mori shkeljesh të tjera, por nga monitorimi jonë, nga analiza, nga trajtimi i rastit, ne kemi ardhë në përfundim se këtu kemi të bëjmë me shkelje të Kodit të Etikës, për shkak të raportimit të lajmit në mënyrë të paanshme”, tha tutje Mehmeti.
Andaj, tha se mund të kërkojnë nga RTK1 që të transmetojë publikisht detajet e shkeljes së Kodit të Etikës, sipas konstatimit të KPM-së dhe t’i ofrojë palës ankuese të drejtën e reagimit për të korrigjuar faktet që e shqetësojnë atë subjekt.
Më pas, u votua me vota unanime vendimi, me të cilin KPM ka gjetur se RTK1 ka bërë shkelje të Kodit të Etikës duke bërë raportim në mënyrë të paanshme dhe vendosi të obligohet RTK1 t’i publikojë detajet e shkeljes dhe t’i ofrojë hapësirë palës ankuese- Nacionale për të demantuar faktet që i ka publikuar transmetuesi publik.
Gjatë diskutimeve, nga drejtori i Departamentit Ligjor të KPM, Niman Racaj, mes tjerash u tha se RTK1 është dashur që të marrë edhe qëndrime tjera të palëve të përfshira, për të balancuar kronikën.
Ndryshe, ankesën e Nacionales drejtuar KPM-së dhe atë për KMSHK-në, e ka hartuar Qendra për Ndihmë Juridike e Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD). /BetimipërDrejtësi