Me rastin e Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës Seksuale gjatë luftës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se përpjekjet për t’i sjellë kryersit e këtij krimi të llahtarshëm para drejtësisë nuk do të ndalen asnjëherë.
Kështu ka shkruar në Facebook, teksa ka kujtuar të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Qëndrojmë së bashku, sot e përgjithmonë, me mijëra gra dhe burra të mbijetuar të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, të cilët kanë kaluar nëpër tmerrin e krimeve të regjimit gjenocidal të Millosheviqit. Ato vazhdojnë guximshëm ta prezantojnë të vërtetën dhe kanë kthyer dhimbjen në fuqi, duke u shndërruar kështu në heroinat tona”, ka shkruar Osmani.
Ndryshe, ministria e Drejtësisë është duke e hartuar protokollin shtetëror për adresimin e dhunimeve seksuale, i cili ka për qëllim të mbrojë të drejtat e viktimave të dhunës seksuale, duke garantuar ofrimin e një pakete të plotë të shërbimeve për viktimën.
Kështu ishte shprehur këshilltarja e këtij dikasteri, Nazmie Balaj, e cila ka theksuar se në vitin 2020 janë raportuar, gjithsej, 67 raste të dhunimeve seksuale.
Ajo kishte thënë se për shtatë vjet kanë ndodhur mbi 350 raste, ndërsa mbi 70 për qind të dhunimeve seksuale i takojnë moshave nën 16 vjeç.
“Kah fundi i majit veç se do të startojmë me draftin e parë sa i përket draftimit të protokollit për adresimin e dhunimeve seksuale. Në vitin 2020 në kohën e pandemisë kishim rritjen më të madhe sa i përket dhunimeve seksuale, vetëm në atë kohë kishim 67 raste. Institucionet relevante dhe përgjegjëse do të veprojnë mbas hartimit dhe aprovimit në një linjë të përgjigjes institucionale sa i përket dhunimeve seksuale në vend”, kishte theksuar ajo.
Sipas saj, protokolli në fjalë do të ndikojë në ruajtjen e fakteve dhe provave gjatë procesit të ekzaminimit, teksa ka shtuar se viktima është kryeqendra e këtij protokolli.
Siç ka theksuar ajo, përmes procedurave të protokollit do të detajohen dhuna fizike, dhuna psikike, emocionale, seksuale madje edhe shantazhet.
Qëllimi i këtij protokolli është të mbrojë të drejtat e viktimave të dhunës seksuale, duke garantuar ofrimin e një pakete të plotë të shërbimeve me në qendër viktimën, si dhe të ndjeshme ndaj moshës dhe gjinisë.