Ashtu siç i priu grupit prej më shumë se 40 personave, emri i Milan Radoiciq i prin edhe aktakuzës së ngritur ndaj tij e të tjerëve që morën pjesë në sulmin e 24 shtatorit një vit më parë në Banjskë.
Pak para se të bëhen 1 vit nga ky sulm Prokuroria Speciale e Kosovës, ngriti aktakuzën ndaj Radoiçiqit dhe 44 personave të tjerë, për vepra penale kundër rendit kushtetues të Kosovës, përfshirë terrorizmin e shpërlajen e parave.
Në këtë dokument të Prokurorisë, tregohet edhe qëllimi që ky grup paramilitarësh kishte pasur.
“…duke vepruar sipas përgatitjeve dhe planit të mirë organizuar paraprakisht, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, kanë tentuar që të shkëpusin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojnë Republikës së Serbisë, me ç’rast si rezultat i dhunës së përdorur, ka vdekur zyrtari policor Afrim Bunjaku dhe është rrezikuar jeta e zyrtarëve të tjerë policorë dhe popullatës civile.”
Ndonëse jo drejtpërdrejtë, në aktakuzë përmendet edhe përfshirja e shtetit të Serbisë, sidomos në pjesët për financimin e Radoiçiqit, duke i dhënë atij miliona euro tenderë publik, para të cilat besohet se pastaj janë shfrytëzuar për blerje të armatimit.
Ndikimin e Milan Radoiciqit, në shtetin e Serbisë, e kanë treguar edhe dëshmitarët e intervistuar nga Prokuroria, që kanë qenë anonim.
“…Po ashtu, ka theksuar se miku i tij i ka thënë se këtë armatim e kanë marrë në Serbi, të cilin armatim e ka siguruar Milani, sigurisht ai me lidhje të forta përmes shtetit të Serbisë, është i bindur se përmes Aleksandar Vuçiqit dhe njerëzve të tij por që në këto formacione sa i përket pagesës, armatimit, organizimit kanë qenë të përfshirë Milan Radoićić si kryesori i këtij grupi, Marjan Radojevic, Nemanja Radivojevic, Vladimir Radivojevic ( me nofkën “mami’ ) Aleksandar Jevremovic, të cilët secili prej tyre, i kanë udhëhequr nën grupet, të cilat kanë pasur detyra të caktuara për të vepruar në veri. Në fund, ka shtuar se pothuajse i gjithë grupi që janë arratisur janë në Serbi, sigurisht kanë kontakte me Milanin dhe me gjasë miku i tij nuk i ka treguar por ai ka lënë të kuptohet se Milani ende i paguan për të mbijetuar në Serbi, si dhe përveç se nga miku i tij dhe disa shokëve të tij, personalisht e ka kuptuar se nuk është vështirë për të kuptuar se Milani këto para i ka nga krimi, nga kontrabanda, tenderat dhe gjithashtu financohet nga Vucici dhe që paraja është problemi më i vogël për Milanin.”
Deri në ngritjen e kësaj aktakuzë u bë shumë zhurmë, por megjithatë Serbia vazhdon t’i lë të lirë, të akuzuarit për sulmin në Banjskë, e Bashkimi Evropian pa ndonjë ndëshkim ndaj Beogradit.
“Do të duhej të kishte masa por duhet kuptuar që perëndimi punon edhe mbi bazën e fakteve pra të gjithë e dimë se Serbia e ka bërë por duhet të e dëshmojmë se me të vërtetë e ka bërë Serbia, kjo është esenca pse nuk janë ngutur, por mos të harrojmë sepse në kanalet bilaterale diplomatike është bërë presion shumë i madh mbi Serbinë për këtë cështje, prandaj edhe Serbia kohëve të fundit ka shumë marrëveshje me perëndimin për të lëshuar pe diku tjetër dhe për të duruar diçka tjetër, pra bëhet një lloj kompromisi”, ka thënë Dritero Arifi – Profesor universitar.
Skeptik që aktakuza e gjykimi do të arrijë efektin e saj është avokati Artan Qerkini, i cili thotë se Serbia asnjëherë nuk do ta ekzekutoj vendimin e Gjykatës së Kosovës.
“A do t’i dorëzojë Serbia apo jo të gjithë të akuzuarit, kjo mbetet të shihet gjasat janë minimale që t’i dorëzoj për arsye se Serbia nuk e njeh Kosovën dhe për rrjedhojë nuk e njeh as sistemin gjyqësor të Republikës së Kosovës mirëpo nëse Kosova anëtarësohet në INTERPOL, atëherë do të ketë mundësi më të lehtë që këta persona nëse e lëshojë Serbinë dhe dalin në një shtet që është anëtare e INTERPOL-it të arrestohen dhe ekstradohen në Kosovë”, ka thënë Artan Qerkini – Avokat.
3 nga të akuzuarit nga Prokuroria Speciale, janë nën masën e paraburgimit, e 42 të tjerët pritet që të gjykohen në mungesë, në gjykimin që do të nis nesër në Gjykatën Themelore të Prishtinës.