Biden në OKB: Paqja, ende e mundshme në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë

Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, presidenti Joe Biden ka theksuar rëndësinë e angazhimit të Shteteve të Bashkuara në çështjet globale dhe refuzimin e izolacionizmit, duke shprehur mbështetje për Ukrainën dhe duke apeluar për zgjidhjen e konflikteve në Lindjen e Mesme

Presidenti amerikan, Joe Biden, gjatë fjalimit në OKB.

Presidenti amerikan, Joe Biden, tha se Shtetet e Bashkuara nuk duhet të tërhiqen nga bota dhe të veprojnë të vetëm, teksa Izraeli dhe Hezbollahu –grupi libanez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja – janë në prag të një lufte në shkallë të gjerë në Liban, dhe Izraeli po vazhdon ofensivën në Gazë.

Në fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Biden foli për nevojën që t’i jepet fund konfliktit në Lindjen e Mesme, luftës civile 17-mujore dhe vuri në pah mbështetjen e SHBA-së dhe aleatëve perëndimorë për Kievin, që po përballet me pushtimin e Ukrainës të nisur nga Rusia më 2022.

Biden kërkoi që të vazhdohet të mbështetet Ukraina, mbështetje që mund të vihet në dyshim nëse ish-presidenti Donald Trump fiton zgjedhjet presidenciale të nëntorit. Megjithatë, Biden insistoi se pavarësisht konflikteve globale, ai mbetet me shpresë për të ardhmen.

“E di që shumë e shohin botën sot dhe shohin vështirësi e reagojnë me dëshpërim, por unë nuk veproj kështu”, tha Biden.

“Jemi më të fortë sesa mendojmë” kur bota vepron së bashku, shtoi ai.

Biden nisi mandatin presidencial me pretimin për ripërtëritjen e raporteve të SHBA-së në mbarë botën dhe largimin nga “luftërat e pafundme” në Afganistan dhe Irak.

“Isha i vendosur që t’iu jepja fund [këtyre luftërave] dhe e bëra”, tha Biden për largimin e trupave amerikane nga Afganistani, duke e cilësuar si “vendim të vështirë, por vendim i duhur”.

Ai foli edhe për dy konfliktet më të mëdha aktualisht, ai në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme.

“Gjithmonë ka forca që duan të na përçajnë”, tha Biden, duke shtuar se e refuzon dëshirën “që të tërhiqemi nga bota dhe të qëndrojmë vetëm”.

SHBA-ja një ditë më herët tha se do të dërgojë trupa shtesë në Lindjen e Mesme, rajon ku aktualisht ka afër 40.00 trupa. Shtëpia e Bardhë ka insistuar se Izraeli dhe Hezbollahu ende kanë kohë që të shtensionojnë situatën.

“Lufta në shkallë të plotë [në Lindjen e Mesme] nuk është në interesin e askujt”, tha Biden, dhe tha se pavarësisht përshkallëzimit të dhunës, zgjidhja paqësore është rruga e vetme drejt paqes.

Që nga 7 tetori, kur Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian – sulmoi Izraelin, Izraeli po zhvillon ofensivë në Gazë, që ka lënë të vrarë më shumë se 41.000 palestinezë. Ndërkaq, gjatë sulmit në Izrael, Hamasi vrau afër 1.200 persona dhe rrëmbeu afër 250 të tjerë.

Tani konflikti rrezikon të zgjerohet. Izraeli dhe Hezbollahu kanë këmbyer zjarr në baza ditore që nga nisja e luftës në Gazë.

Ndërkaq, të hënën sulmet izraelite në Liban vranë më shumë se 550 persona, teksa mijëra të tjerë janë detyruar që të zhvendosen nga jugu i Libanit. 23 shtatori ishte dita më vdekjeprurëse që nga lufta Izrael-Hezbollah më 2006.

Ndërkaq, sa i përket pushtimit rus të Ukrainës, Biden bëri thirrje për vazhdimin e mbështetjes për Kievin.

“Ne nuk mund të lodhemi, nuk mund të mbyllim sytë”, tha Biden.

“Lufta e [presidentit rus, Vladimir] Putin ka dështuar në qëllimin kryesor. Ai synoi të shkatërrojë Ukrainën, por Ukraina është e lirë”, tha udhëheqësi amerikan.

Thirrjet për vazhdimin e mbështetjes për Ukrainën vijnë në kohën kur Kievi po kërkon që Perëndimi t’i lejojë që të përdorë armët me rreze të gjata për të sulmuar thellë brenda Rusisë.

Putin ka paralajmëruar se Rusia do të ishte “në luftë” me SHBA-në dhe aleatët e saj të NATO-s nëse i lejon Ukrainës të përdorë armë me rreze të gjatë veprimi./Radio Evropa e Lirë

Shija e redaktorit

Gjeneral Jashari takohet me Shefen e Mbrojtjes së Forcave të...

Gjatë vizitës zyrtare në Kanada, Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, zhvilloi një takim bilateral me Shefen e Mbrojtjes së...

Të martën “Dukagjini” promovon librin “Kape Lepurin” të Lana Bastašić-it

Për të gjithë ju dashamirë të librit, shtëpia botuese “Dukagjini” ka njoftuar se më 26 nëntor, ditën e martë, në orën 18:00, në librarinë...

Hamza: Me Fondin e Papunësisë do t’i mbështesim të gjithë...

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka dhënë një lajm të mirë për të gjithë punëtorët që i humbin vendet e punës. “Me...

Të fundit nga rubrika