Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se reforma në Administratën Publike dita ditës po përmirësohet, ndërsa theks të veçantë ka thënë se po i japin cilësisë së shërbimeve.
Sveçla, në kuadër të Samitit të Kosovës për paqe dhe siguri, theksoi se Kosova ka bërë përparime në administratën publike. Ndihmë në këtë drejtim, sipas tij, kanë dhënë edhe partnerët ndërkombëtarë.
“Në krahasim me gjendjen e vitit të kaluar kur ofroheshin rreth 120 shërbime publike, sot platforma digjitale e-Kosova i ofron mundësinë qytetarëve qasje në mbi 180 shërbime, apo rritje prej 50% në ofrimin e shërbimeve digjitale. Një tjetër aspekt pozitiv në trendin e përgjithshëm është padyshim zvogëlimi i hendekut në administratë mes përfshirjes së grave dhe burrave. Gjatë vitit 2023 kanë qenë 48.3% gra të punësuara në administratë publike, ndërsa këtë vit, 63.3% e zyrtarëve të rekrutuar në administratë publike janë gra. Padyshim se kjo rritje është edhe si rrjedhojë e ligjit të ri për zyrtarët publikë që ka krijuar mundësi të barabarta për të gjithë dhe hapjen e administratës për një brez të ri që sjellin energji dhe njohuri të reja në administratë publike. Ky është një tregues i përparimeve që kemi bërë për barazinë gjinore dhe krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë”, ka deklaruar Sveçla.
Sveçla tha se sfida më e madhe mbetet te menaxhimi i burimeve njerëzore, por që janë duke punuar për jetësimin e një shkolle kombëtare të Administratës Publike.
“Padyshim se dhe për një kohë, sfida më e madhe do të mbetet kryesisht në menaxhimin e burimeve njerëzore. Andaj, po punojmë të jetësojmë krijimin e një Shkolle Kombëtare të Administratës Publike, në bashkëpunim të ngushtë me bordin këshillues për administratë publike. Kjo shkollë, e cila do të tejkalojë kapacitetet e Institutit të Administratës Publike (IKAP) do të shërbejë si model për rajonin”, vijoi Sveçla.
Ai tutje shtoi se vendi ynë ka bërë përparime nga përkushtimi i institucioneve por edhe mbështetja e partnerëve ndërkombëtar.
“Kosova ka bërë përparime të rëndësishme falë përkushtimit të institucioneve tona dhe mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë dhe shumë miqve dhe profesionistëve. Andaj, duke qenë të vetëdijshëm se reformat në administratën publike janë një element kyç për përmirësimin e jetës së qytetarëve tanë dhe për ndërtimin e një demokracie të qëndrueshme, angazhimi ynë do të jetë maksimal”, vijoi Sveçla.